Bota

Trazirat në Brazil, 39 të paditur!

Prokurori i Përgjithshëm i Brazilit ngriti padi ndaj 39 personave si të dyshuar për përfshirjen e tyre në trazirat e 8 janarit, në ndërtesën e Senatit. Mijëra mbështetës të ish-presidentit, Jair Bolsonaro, sulmuan selitë e institucioneve, pas humbjes së tij në zgjedhjet e vitit të kaluar.
Në njoftimin zyrtar nuk jepen emrat e tyre, por thuhet se “përdorën dhunën dhe kërcënimet për të shkatërruar demokracinë”. Bolsonaro shprehu keqardhje për trazirat e shkaktuara, por e mohon se qëndron pas tyre duke i nxitur.

Qindra vetë u arrestuan lidhur me ngjarjet e datës 8 janarit, skenat e të cilave rikthyen në vëmendje ato të janarit 2021 në Shtetet e Bashkuara ku mbështetës të ish-presidentit Donald Trump sulmuan Kongresin e pati edhe viktima. Përkrahësit e Trump-it ndërhynë pasi nuk pajtoheshin me fitoren e demokratit Joe Biden në presidencialet e 2020-ës.

Një situatë e ngjashme u përsërit rreth dy javë më parë në Brazil. Në Pallatin Presidencial, godinat e Kongresit dhe Gjykatës së Lartë, protestuesit tentuan të hynin me forcë.

Dhjetëra efektivë policie u plagosën dhe skenat e dhunës u dënuan nga shumë liderë botërorë. Kërcënimet ndaj rendit demokratik përbëjnë çështje të ndjeshme në Brazil, shtetit ku regjimit ushtarak iu dha fund në vitin 1985.

Aktualisht, Bolsonaro ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që t’i shmanget pjesëmarrjes në ceremoninë e inaugurimit të pasardhësit të tij, veteranit të krahut të majtë, Luiz Inacio Lula da Silva, i cili rikthehet në krye të shtetit pasi fitoi në zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar duke zemëruar mbështetësit e Bolsonaros. Ish-kreu i shtetit u shpall fajtor lidhur me akuzat për korrupsion në vitin 2017 dhe ka qenë në burg, para se t’i anulohej dënimi.