Sport

Trazirat në “Selman Stërmasi”, pranga Presidentit e Drejtorit Teknik të Kastriotit

Arrestohen drejtuesit e Kastriotit lidhur me trazirat e djeshme në Stadiumin “Selman Stërmasi” pasi Tirana fitoi 1-0 duke zemëruar krutanët që hynë në fushën e gjelbër. Blutë e kryeqytetit njoftojnë arrestimin e Presidentit Alban Vogli e të Drejtorit Teknik Gazment Vogli:

Njoftimi i Policisë Tiranë:

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.2 bënë arrestimin në flagrancë për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik” e kryer në bashkëpunim, dhe “Veprime të dhunshme në aktivitete sportive” të kryera në bashkëpunim, të shtetasve :

A. V., 34 vjeç, Presidenti i një ekipi futbolli ;
G. V., 32 vjeç, Drejtor Teknik i një ekipi futbolli.

Arrestimi i këtyre dy shtetasve u bë pasi ditën e djeshme në rrugën “Sulejman Delvina”, tek stadiumi “Selman Stërmasi”, gjatë zhvillimit të ndeshjes Tirana-Kastrioti, këta shtetas në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë hyrë në fushën e lojës duke shkaktuar tension dhe ndërprerjen e ndeshjes për disa minuta dhe më pas kanë goditur dy punonjës policie për të shmangur shoqërimin e tyre.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Bardheblutë fituan dje 1-0 me golin e Hoxhallarit, moment që inatosi krutanët, të cilët hynë në fushë dhe dy policë u goditën e morën dëmtime në fytyrë. Lidhur me incidentin, fillimisht u shoqëruan 6 persona ndërsa sot autoritetet njoftuan arrestimin e shtetasve Alban e Gazment Vogli. Humbja ndaj bardhebluve mund t’i kushtojë shumë Kastriotit që tani rrezikon seriozisht rënien nga Kategoria.