Aktualitet

Tre aksidente rrugore me tre viktima në vend!

Aksidentet vazhdojnë të përgjakin rrugët shqiptare. Tre viktima u shënuan sot nga veriu në jug të vendit, në po kaq aksidente.

Rreth orës 04:00, në autostradën Kalimash-Morinë, në afërsi të urës së Kolshit, një mjet tip “Benz”, në të cilin udhëtonin shtetasit A. Rr., 25 vjeç dhe Xh. L ., 19 vjeç, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në humnerë. Si pasojë, shtetasi A. Rr. ka humbur jetën.

Nga shërbimet e Policisë dhe të Zjarrfikëses është bërë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë të shtetasit A. Rr. ndërsa shtetasi Xh. L., është dërguar në spitalin e Tiranës, në gjendje të rëndë shëndetësore.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

Policia e Kurbinit dha informacion zyrtar për aksidentin e ndodhur në afërsi të Sanxhakut, ku humbi jetën një grua 56-vjeçare.

Rreth orës 04:30, në aksin rrugor Milot-Mamurras, në afërsi të Mbikalimit të Sanxhakut, shtetasi L.D. 40 vjeç, drejtues mjeti Taxi, ka humbur kontrollin mbi drejtimit e automjetit të tij, duke dalë jashtë rruge.

Si pasojë, ka ndërruar jetë shtetasja Prena Gjetani, 56 vjeçe, e cila ishte pasagjere, si dhe janë lënduar drejtuesi i mjetit me 3 pasagjerët e tjerë, shtetasen A.Gj. 30 vjeçe dhe dy fëmijë, që ndodhen në spital nën kujdes mjekësor. Grupi hetimor vazhdon veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

Aksidenti i tretë ndodhi po sot në fshatin Boçovë, ku një 43-vjeçar që po punonte me zetor tokën humbi kontrollin e drejtimit të automjetit e ra në kanal duke ndërruar jetë. Viktimë mbeti shtetasi Eduart Metushi.