Aktualitet Rajoni

Tre ish-presidentët e Shqipërisë, vizitë në Hagë ish-krerëve të UÇK-së!

Tre ish-presidentët e Shqipërisë, Alfred Moisiu, Rexhep Meidani e Bamir Topi si dhe ish-kryeministri Pandeli Majko, javën e ardhshme do t’i vizitojnë në Hagë ish-krerët e UÇK-së. Vizita e tyre është parashikuar që të ndodhë me 29 shtator.

Ish-drejtuesit e shtetit shqiptar pritet të zhvillojnë takime me ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, ish-deputetin Rexhep Selimi dhe të tjerët, që si ish-krerë të UÇK-së po mbahen në paraburgim nga Haga. Po ashtu, mësohet se nga Kosova, këtij delegacioni të ish-presidentëve do t’i bashkohet edhe Behgjet Pacolli, ish-president, ish-ministër i Jashtëm dhe zëvendëskryeministër i Kosovës.

Kjo vizitë do të jetë ndër më të rëndësishmet, pas asaj të kryeministrit Edi Rama, krerëve fetarë të Kosovës të dhe kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca.

Katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rexhep Selimi janë të fundit që u dërguan në Hagë.

Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, kishte konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Ish- presidenti Hashim Thaçi së bashku me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin akuzohen për krime lufte. Ndaj tyre rëndojnë 10 akuza, për përndjekje, burgosje, ndalim arbitrar, aktet të tjera ç’njerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje si krim kundër njerëzimit, vrasje e paligjshme si krim lufte, zhdukje me forcë e personave, në periudhën mes prill 1998- gushtit 1991.