Aktualitet

Tre në pranga në Tiranë për falsifikime dokumentesh/Zbulohet një laborator!

Në Tiranë u zbulua një laborator ku falsifikoheshin dokumente të ndryshme dhe tre persona ranë në pranga. Nga përgjimet, dalin komunikimet e shtetasve Gëzim Xhafa, Artur Bramo e Shpëtim Bega, me klientë që iu kërkojnë karta identiteti, diploma apo certifikata pronësie të rreme. Në dosjen e siguruar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha dalin bisedat e Bramos me një bashkëpunëtor që takon në një bar kafene në rrugën “Besim Imami”.

Bashkëpunëtori -I thashë atij shoku kështu, kështu për këtë greken. Po mo tha e bëjmë, por për nja dy ditë, maksimumi tre.
Artur Bramo -Po mirë mo, ça është sot? E hënë, e martë.
Bashkëpunëtori -Të mërkurën, të enjten.
Artur Bramo – Eee, deri të enjten në drekë.
….
Artur Bramo -Patentën i thashë do 100 euro ta bëjnë, siç më the ti, a më the 100?
Bashkëpunëtori – Po!
Artur Bramo -Ai mund të dojë dhe ndonjë letër mbrapa, do dhe ndonjë kartë a ndonjë kështu…
Bashkëpunëtori – Për kartën do bisedoj, kur të marësh këtë do bisedoj për kartën.
Artur Bramo – Po pra, okej!
Bashkëpunëtori – Se tani te karta nuk jam i sigurtë, se varet ça kartash.
Artur Bramo – Se duhet ta mbështes me ndonjë letër.
Bashkëpunëtori – Ti do kartë greke?
Artur Bramo – Kartë greke mo.
Bashkëpunëtori -A do tafto ti pra?
Artur Bramo -E kupton se thonë që ky ka patentën, po ka dhe një letër shëndetësie.. A kupton, ça janë ato kartat shëndetësore, a një pasaportë, a…
Bashkëpunëtori – Po dhe për pasaportën e bisedojmë, por nuk të jap shumë garanci aty, kurse te taftoja greke…
Artur Bramo -E kartën, kartën e patentën.
Në dosje, pasqyrohen edhe përgjimet e Gëzim Xhafës. Në një nga këto raste, ai takon një bashkëpunëtor po në rrugën “Besim Imami”. Pasi takohen në një kafene, bashkëpunëtori i dorëzon Xhafës një kartelë të pasurisë së paluajtshme, certifikatë regjistrimi pronësie, në emër të Bujar Bedri Begës. Këto dokumente të falsifikuara janë sekuestruar si provë materiale.
Bashkëpunëtori – O Gëzim, si je?
Gëzim Xhafa – Hë mo, ça bon?
Bashkëpunëtori – Ça bone u lodhe? Hë a ka dalë mirë?
Gëzim Xhafa – Asnji gja.
Bashkëpunëtori – Doli mirë ai!
Gëzim Xhafa – Po shife mo, aty e ke!
Bashkëpunëtori – Kjo s’më duhet ma.
Gëzim Xhafa – S’ke ku e fut ti këtë, janë dixhitale.
Bashkëpunëtori – Ajo që bëra këtë, atë të parën unë atë ditë me Turin, këtë kartën.
Gëzim Xhafa – Hë!
Bashkëpunëtori – Unë e solla.
Gëzim Xhafa – Hë.
Bashkëpunëtori – Do një kartë italiane ose greke.
Gëzim Xhafa – Do greke?!
Bashkëpunëtori -Po, po, rri në Angli ai.
Gëzim Xhafa – Do tofni apo do kështu?
Bashkëpunëtori – Si për në Angli. Edhe të mirë, nuk o problem, vetëm t’i them që kaq bon.
Gëzim Xhafa – E do kështu plastike… Plastike e do?
Bashkëpunëtori – Kjo dhe me e bo me datë të vjetër, m’i çon mua ai fotot e gjërat.

Autori tjetër është Shpëtim Bega, i cili luan rolin e ndërmjetësit për gjetjen e klientëve për Gëzim Xhafën. Bega është i përfshirë në aktivitet antiligjor, në formën e falsifikimit të dokumenteve zyrtare të llojit pasaporta, karta identiteti bullgare, karta identiteti shqiptare, leje drejtimi shqiptare të automjeteve, diplomave shkollore, etj, kundrejt pagesave.

Në dosjen hetimore thuhet:

Për sigurimin e dëftesës së shkollës së mesme të falsifikuar, pagesa shkon në 11.000 lekë. Për falsifikimin e diplomës të shkollës së lartë, pagesa është 600 euro. Për falsifikimin e lejes së drejtimit, pagesa është 7.000 lekë, për falsifikimin e kartës së identitetit shqiptare, pagesa është 6.000 lekë.

Me bashkëpunëtorët, autorët takoheshin në mjediset e një lokali, në rrugën “Gani Luzi”.