Aktualitet

Tre operacione antikanabis në Krujë, Lezhë e Shkodër/ Asgjësohen mbi 6 mijë fidanë!

Lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike kanabis sativa, në Krujë, si dhe në qarqet Lezhë e Shkodër vazhduan fazat e radhës së tre megaoperacioneve policore të koduara “Territor i pastër”, “Imazhi” e “Alpe të pastra”.  Si rezultat i kontrolleve më të fundit të uniformave blu, në total u asgjësuan 6 mijë e 262 fidanë e bimë narkotike të llojit kanabis sativa. Ende nuk dihen autorët e këtyre rasteve ndërsa bëhet e ditur se megaoperacionet do të vazhdojnë.

Njoftimi zyrtar informon:

-Në Krujë, gjatë kontrolleve në kuadër të fazës së 9-të të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Territor i pastër”, u gjetën 875 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, konkretisht: 580 fidanë në fshatin Shkretë dhe 295 fidanë në malin e Brretit.

-Në qarkun Lezhë, gjatë kontrolleve në kuadër të fazës së 8-të të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Imazhi”, u gjetën 4557 fidanë dhe bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, konkretisht: 1700 bimë në fshatin Gernac, Milot; 1335 bimë në fshatin Selitë, Milot; 1000 bimë në fshatin Kallmet, Lezhë; 289 bimë në fshatin Lester, Milot dhe 233 bimë në malin e Shëngjinit.

-Në qarkun Shkodër, gjatë kontrolleve në kuadër të fazës së 4-të të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Alpe të pastra”, në fshatin Sumë, njësia administrative Pult, u gjetën 830 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.

Fidanët dhe bimët e dyshuara narkotike u asgjësuan nga policia me anë të djegies, ndërsa një pjesë e vogël e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Megaoperacionet policore antikanabis “Territor i pastër”, “Imazhi” dhe “Alpe të pastra”, vijojnë. Materialet procedurale i kaluan prokurorive përkatëse pranë gjykatave në Durrës, Lezhë dhe Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Policia e Shtetit apelon vendosmërisht për qytetarët që të mos përfshihen në veprimtarinë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, si dhe të denoncojnë çdo rast kur mund të kenë indicie për të.