Aktualitet

Një viktimë e katër të plagosur në tre aksidente rrugore në Lushnjë e Vlorë!

Një viktimë dhe katër të plagosur në tre aksidente në rrugët e vendit. Në aksin Krumë-Kukës, në vendin e quajtur “Qaf Tobli”, shtetasi Z. S., duke drejtuar automjetin tip “Volkswagen Passat”, humbi kontrollin e makina doli nga rruga. Për pasojë humbi jetën bashkëshortja e tij, shtetasja F. S., 61 vjeçe, ndërsa drejtuesi i mjetit u dërgua në spitalin e Kukësit për ndihmë mjekësore. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

Në Grabjan të Lushnjës, një triçikël i modifikuar për grumbullimin e materialeve plastike dhe me të cilin po lëviznin burrë e grua u përplas nga një makinë tip “Volkswagen”. Për pasojë mbeti i plagosur çifti i bashkëshortëve. Ardian e Lumturie Meçani nga Grabjani u dërguan në Spitalin e Lushnjës për trajtim të specializuar mjekësor. Sa i përket gjendjes së tyre shëndetësore, mësohet se fatmirësisht janë jashtë rreziku për jetën. Ndërkaq, policia në vendngjarje po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Edhe në Vlorë u regjistrua një aksident, me pasojë dëmtimin e një 30-vjeçari i cili lëvizte me motor.  Një makinë “Volkswagen” me drejtuese një 36-vjeçare e përplasi rreth mesdite në lagjen “Kushtrimi” të qytetit bregdetar jugor.

Njoftimi zyrtar i Policisë Vlorë:

Rreth orës 11:20, në lagjen “Kushtrimi”, një automjet tip “Volkswagen” me drejtuese shtetasen B. K., 36 vjeçe, është përplasur me një motomjet me drejtues shtetasin M. F., 30 vjeç. Si pasojë e përplasjes ka mbetur i dëmtuar shtetasi M. F, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po kryen veprimet e mëtejshme në lidhje me sqarimin e rrethanave të aksidentit.