Bota

Tre tërmete të fuqishëm godasin Iranin jugor, shënohen viktima!

Toka dridhet sërish në Iran e nga një seri tërmetesh të forta që ditën e sotme tronditën pjesën jugore të vendit, raportohet se të paktën pesë persona humbën jetën, si dhe u shkaktuan dëme në dhjetëra ndërtesa. Njoftimi vjen nga media shtetërore. Ndërkohë, referuar Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, lëkundjet, duke përfshirë dy me magnitudë 6.0 të shkallës Rihter, goditën në perëndim të qytetit të madh port Bandar Abbas, në provincën iraniane Hormozgan.

I pari tronditi një zonë në veri të qytetit Dezhgan pak pas orës 02:00 të mëngjesit të sotëm, përpara se një tërmet i magnitudës 5.7 të godiste dy orë më vonë, i ndjekur në kohë të shpejtë nga një tërmet i tretë, me magnitudë 6.0. Guvernatori i Hormozganit, Mehdi Dousti iu konfirmoi mediave se pesë persona gjetën vdekjen. Zyrtari citohet nga agjencia zyrtare e lajmeve IRNA. Dousti tha se shumica e dëmeve kanë ndodhur në fshatin Sayeh Khosh, në afërsi të epiqendrës. Televizioni shtetëror bëri të ditur se 49 persona u plagosën dhe trasmetoi pamjet e ndërtesave të banuara, të kthyera në rrënoja në Sayeh Khosh.

Autoambulancat dhe automjetet e tjera u përpoqën të kalonin në rrugët e mbuluara me gërmadha, ndërsa banorët e tronditur dolën në to ose tentuan të rikuperonin sende të nevojshme, nga shtëpitë e rrafshuara. Gjithashtu, njerëzit zgjodhën të qëndronin jashtë, në kryeqendrën e provincës Bandar Abbas, me një popullsi prej më shumë se 500 mijë banorësh e që ndodhet rreth 100 kilometra në lindje të epiqendrave të tërmeteve. Atu u krijuan radhë të gjata përpara pikave të karburantit, po sipas raportimeve të medias shtetërore iraniane.

Irani qëndron përtej kufijve të disa pllakave kryesore tektonike e përjeton aktivitet sizmik të shpeshtë. Tërmeti më vdekjeprurës i këtij shteti vijon të mbetet ai me magnitudë 7.4, i regjistruar në vitin 1990 e që vrau 40 mijë persona në veri, plagosi 300 mijë të tjerë dhe la gjysmë milion të pastrehë.