Aktualitet

Tre turistë çekë të bllokuar mes Thethit e Valbonës/Kërkohet helikopter!

Për shkak të terrenit të thepisur, tre turistë çekë janë bllokuar në veri të vendit tonë, në kufirin mes Thethit e Valbonës, ndaj nga ana e autoriteteve lokale po apelohet për ndërhyrje nga ajri me helikopter, pasi siç konfirmohet edhe zyrtarisht nga policia, në atë zonë nuk mund të shkohet në rrugë tokësore, me automjet.

Njoftimi i policisë Tropojë:

Tropojë/Informacion paraprak

Rreth orës 10:07, jemi njoftuar se në kufirin mes Thethit dhe Valbonës,  tre turistë çekë duke eksploruar zonën, për shkak të terrenit të thepisur, janë bllokuar.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë së Komisariatit Tropojë, së bashku me ekipin mjekësor, janë nisur në drejtim të zonës ku dyshohet se janë bllokuar turistët.

Për shkak të terrenit të vështirë dhe të thepisur dhe të largësisë së turistëve nga zona që mund të përshkohet me automjet, është kërkuar ndërhyrja e helikopterit, me qëllim ofrimin e ndihmës turistëve.

Të shumtë janë turistët, sidomos të huaj, të cilët në mënyrë të veçantë pëlqejnë alpinizmin e vazhdimisht zgjedhin të përshkojnë edhe shtegun turistik nga Valbona në Theth. Në Tropojë, Parku Kombëtar i Valbonës kryeson mes vendeve më të preferuara e frekuentuara nga turistët vendas e të huaj, që zgjedhin ta vizitojnë, për të shijuar nga afër pamjet mbresëlënëse të maleve e luginave.

Për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, ATSH, drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura të qarkut të Kukësit, Lefter Gjana tha sot se në 6 muajt e parë të vitit, pra nga janari 2022 e deri në fund të qershorit, Valbonën e kanë vizituar më shumë se 20 mijë e 500 persona, mbi 14 mijë e 200 prej tyre, shtetas të huaj. Për turistët e shumtë që vizitojnë Valbonën ka terrene e atraksione të reja ende për t’u eksploruar, duke nxitur kështu aventurat turistike, si edhe iniciativat vendase, për të ofruar kushte e shërbime dinjitoze, në prezantimin e zonës.