Bota

Tre vende të BE-së pro ndihmës ndaj afganëve, por nuk i duan në territoret e tyre!

Austria, Danimarka e Çekia premtojnë ndihmë për Kabulin, por paralajmërojnë afganët: “Qëndroni në Afganistan!”.

Qëndroni atje e do të mbështesim rajonin.

Në prag të mbledhjes së këshillit të jashtëzakonshëm të Bashkimit Europian, mesazhin e dhanë ministrat e brendshëm të Vjenës, Kopenhagenit e Pragës, Karl Nehammer, Mattias Tesfaye e Jan Hamacek.

Për çështjen e refugjatëve afganë, një qëndrim e ka edhe Franca. Parisi është pro mbështetjes humanitare, por thekson se duhet vendosmëri në kontrolle.

Ministri i Brendshëm, Gérald Darmanin:

Të arrihet dakordësi për tre pika: siguri, kontroll i emigracionit të paligjshëm e pritje e refugjatëve. Pa një marrëveshje në nivel europian, rrezikohet të përsëritet kriza e emigrantëve e 2015-ës.

Pikërisht krizës së 2015-ës iu referua eurokomisionerja e çështjeve të brendshme, Ylva Johansson.

Duhet të shmangim një krizë humanitare, një krizë të refugjatëve e kërcënimet ndaj sigurisë. Të gjithë të veprojmë tani e të mos presim për flukset e emigrantëve në kufijtë tanë e as për terroristë më të fortë. Situata e 2015-ës mund të shmanget, duke vepruar tani, në mbështetje të njerëzve në Afganistan.