Sociale

Tregu i punës në Shqipëri, orientim drejt modeleve të reja ekonomike

Që rritja e pagave të jetë e qëndrueshme në ekonomi, duhet të rritet edhe produktiviteti i kapitalit njerëzor.

Për këtë bizneset duhet të orientohen drejt modeleve të reja ekonomike, ndërsa qeveria do t’i mbështesë financiarisht ato të cilat do arrijnë objektivat.

Sipas dhomës së tregtisë dhe industrisë bizneset duhet të përqafojnë ndryshimin

“Nuk mundet që të kemi më një qasje në bizneset tradicionalet siç janë fasoni apo të ngjashme me to. Duhet të kalojmë te biznese dhe industri që kanë vlerë të shtuar brenda, ku krahu i punës nuk është kosto e mirëfilltë apo që të zërë një peshë specifike në ushtrimin e aktivitetit të sipërmarrjes, por krahu i punës të jetë i aftë që të krijojë një vlerë të shtuar edhe për kompaninë, edhe për produktivitetin e saj”, tha Nikolin Jaka.

Qeveria kërkon që bizneset në sfidat e ardhshme t’i mbështesë nëpërmjet digjitalizimit. Inovacioni I fundit që vjen në platformën e-albania është portali i punësimit

“Portali puna.gov.al një portal digjital ku qindra të rinj mund të aplikojnë për 3300 vende të lira pune. Mjafton të hyjë në portal dhe të përzgjedhë për punët që janë të përshtatshme për të të shpallura nga bizneset në platformën tonë dhe me hyrjen në platformë përmes kredencialeve në e-albania mund të dërgojë direkt kërkesën për interes te biznesi. Paga mesatare që ofrojnë bizneset është 110 mijë lekë. Ka punë që arrijnë deri në 200 mijë lekë”, tha Klevis Jahja.

Mungesa e fuqisë punëtore ka bërë që vendi t’i marrë nga jashtë kryesisht nga Nepali, India dhe Bangladeshi.