Lifestyle

Trendi i javës me 4 ditë punë, mos u entuziazmoni! Disa arsye pse kjo nuk do të funksionojë!

Tanimë, java me katër ditë punë po fillon të kthehet në një trend në Mbretërinë e Bashkuar, Irlandë, SHBA, Kanada dhe Australi. Punonjësit në biznese të ndryshme po punojnë vetëm 80% të kohës së plotë, por po vazhdojnë të marrin 100% të pagës dhe të përfitimeve të tyre. Përmes këtyre skemave, të cilat po drejtohen nga koalicioni jofitimprurës 4 Day Week Global, mendohet se do të përfitojnë të gjithë, duke rritur produktivitetin e punonjësve, duke përmirësuar ekuilibrin punë-jetë dhe nivelin e kënaqësisë së punonjësve, si dhe duke reduktuar papunësinë. Por, sa e mirë është e gjithë kjo nismë?

Në fakt, edhe pse shumë kompani mund ta shohin këtë nismë si një alternativë më të mirë se java me pesë ditë punë, ka disa arsye pse ky koncept ka nevojë për studime dhe debate të mëtejshme. Java me katër ditë punë nuk ka gjasa që ta rrisë produktivitetin, me përjashtim të rasteve kur ai është realisht i ulët. Shtete të tilla si Irlanda dhe Mbretëria e Bashkuar kanë tashmë një produktivitet shumë të lartë të punonjësve, të matur si PBB për orë pune.

Në fakt, produktiviteti i Irlandës është ndër më të lartit në botë, duke arritur në 125 dollarë për orë pune në vitin 2019. Dhe megjithëse ka pasur shumë diskutime rreth produktivitetit në Mbretërinë e Bashkuar, e cila po mundohet të ruajë ritmin e shteteve të tjera të mëdha, ai mbetet ende shumë i lartë në terma të përgjithshëm, me 54 dollarë për orë pune. Shifrat ekuivalente të Kinës dhe të Indisë janë përkatësisht 11 dollarë dhe 8 dollarë për orë pune.

Vende të tilla si Irlanda ose Mbretëria e Bashkuar do të duhet të zbatojnë praktika të ashpra për të pasur produktivitetin e nevojshëm nga java me katër ditë punë. Këto praktika mund të përfshijnë edhe nevojën për të punuar më shumë orë në ditë se më parë. Kjo gjë do të rriste nivelet e stresit, numrin e aksidenteve në punë, etj. Pretendimet se ne të gjithë do të ishim më të lumtur duke punuar katër ditë, nuk marrin në konsideratë teorinë e rutinës hedonike, sipas së cilës, lumturia shtesë e përhershme është thjesht një mirazh.

Njerëzit mund të ndihen më të lumtur, për shembull, përgjatë një periudhe gjashtëmujore. Por në afatgjatë, ata me siguri do të riktheheshin te niveli i mëparshëm i lumturisë. Java me katër ditë punë mund të përkeqësojë nivelin e pabarazisë në punë. Irlanda dhe Mbretëria e Bashkuar tashmë po vuajnë nga fenomeni i polarizimit të tregjeve të punës, që do të thotë se raporti i vendeve të punës të rangut të mesëm ndaj atyre të rangut të ulët ka rënë përgjatë dekadave. Java me katër ditë punë do të sillte një variant tjetër të këtij problemi.

Njerëzit që punojnë katër ditë në javë dhe që paguhen vetëm për këto katër ditë pune, papritur do ta gjejnë veten e tyre duke bërë të njëjtën punë për një rrogë më të vogël sesa ata që sapo kanë patur një reduktim të ditëve të punës. Gjithashtu, punonjësit në moshë më të madhe do të jenë në disavantazh nga nevoja për të bërë më shumë në një periudhë më të shkurtër kohore. Kjo do të rriste gjithashtu pasigurinë në punë dhe mund të përkeqësonte produktivitetin. Një nga përfitimet e supozuara të reduktimit të javës së punës është ulja e papunësisë.