Celebrities Film & Tv Showbiz

“Triangle of Sadness” i shpifur dhe i mrekullueshëm, njëkohësisht. Kritikë.

Në një vend ku fjala Oligark[ët] përdoret më shumë se fjala dashuri, ka një lloj kënaqësie të veçantë që krijohet kur sheh filma ose seriale që ‘u bien të pasurve’; si për shembull “Parasite”, “Knives Out”, “White Lotus” apo “Hustlers”. Mund të themi edhe që kapitalizmi dhe rrjetet sociale e kanë bërë që një botë e tërë të provojë kënaqësi kur fatkeqsia u bie të kamurve të këtij planeti. Sado të prekemi nga drama e tyre, duhet ta pranojmë që më shumë qeshim (qoftë se brendshmi) sesa lëndohemi prej dhimbjes së tyre. Tani merrini të gjithë ata filma që përmënda [e të tjerë të ngjashëm] dhe shumëzoini me njeqind. Rezultati “Triangle of Sadness”. Mbase filmi më i shpifur por njëkohësisht më i mrekullueshëm i 2022.

Skenaristi dhe regjisori suedez Ruben Östlund njihet në rrethet e dashamirësve të filmave autor dhe indipendent me provikimet e forta tek satirat “Force Majeuere” dhe “The Square”. Për filmin e tij të rradhës nga rezortet ekskluzive për të privilegjuarit, nga muzeumet e [pseudo]aristokracisë ai ka zgjedhur një tjetër vend-ngjarje luksi – një yacht ku të pasurit mblidhen për t’u çlodhur nga jeta e tyre e ngarkuar plot halle.

Në bordin e kësaj anijeje shkëlqyese bëhen bashkë ata që kanë trashëguar miliona, (tip shitësit e moshuar të armëve nga Britania e Madhe) ata që milionat i kanë bërë në fundin e shekullit të kaluar (shitësit rus të armëve) me ata që milionat i fitojnë (ose ashtu i thënçin) duke qënë influencues në Instagram.

Pavarësisht se ku e kanë vendin në shkallën e hierarkisë së të pasurve të yach-tit, të gjithë të privilegjuarit me gjithë tekat, teprimet, pyetjet idiote vënë në vështirësi stafin i cili në anën e tij jo gjithmonë nënshtrohet. Östlund na bën dëshmitarë të një balance perfekte të çdo shpifësire të mundshme të të dyja klasave. Filmi të rrënqeth prej ekspozimit të anëve më të këqija të shpirtit human në skena të gjata plot ankth. “Trekëndëshi i Trishtimit” ka tre akte, ne çdo njërin prej tyre, rëndesa emocionale, momentet që të përshtjellojnë stomakun, apo të acarojnë nervat sa vijnë e shtohen.

Në aktin e parë njihemi me modelët Carl (Harris Dickinson) dhe Yaya (Charbli Dean), në një skenë (ose disa të tilla) të gjatë dhe te elaboruar për kush do të paguante faturën në restaurant. (Jo, nuk është ajo që po mendon… jo ajo që bëjmë ne shqiptarët, e kundërta). Regjisori me kast qëndron pa e prerë shumë diskutimin që nis me paratë e vazhdon me gjininë, tregtinë e romancës etj, ne si publik na duhet të shohim, edhe heshtjet, njësoj si në një shfaqje teatri. Kjo të bën që ti të jetosh me ankthin e personazhit që po shikon në ekran, të mundohesh ta kuptosh atë, të vihesh në pozitën e tij, ta ndjesh si rrallë herë.

Në dy aktet e tjera, “Triangle of Sadness” mundohet të thellohet edhe më shumë në fodullëkun e atyre që kanë, dëshpërimin e atyre që u shërbejnë këtyre që kanë. Një nga skenat më për të qeshur dhe më të shpifura po aq është ajo e darkës së Kapitenit (një Woody Harrelson i pirë dru) ku nga delikatesat dhe shampanja, në pak minuta yachti do të kthehej në një shatërvan të vjelle dhe diarreje.

Östlund është i vendosur të teprojë, ta çojë çdo gjë deri në shterrim dhe ky është çelësi i suksesit të filmit. Sa e sa skena kemi parë kur fjala ‘cut’ është thënë më herët se duhet. Humori në këtë film është i zi sterrë, nga ai që në fillim të bën për të qeshur, pastaj të hap barkun; si për të pasqyruar ndjesinë e klasave shoqërore me/për njëra tjetrën.

Sado të urryeshëm mund të jenë personazhet që luajnë, regjisori ka krijuar një ansambël të shkëlqyer prej të cilëve nuk ngopesh asnjëherë. Harris Dickinson është i bukur dhe i zoti në të njëjtën kohë. E ndjera Charlbi Dean (vdiq në moshën 32 vjeçare vitin e shkuar për shkak të një infeksioni bakterial. Vdekja e saj u cilësua si aksidentale) është fantastike, duke kapur çdo detaj të një influencer-je. Zlatko Buriic, Sunnyi Melles, arrogantë më të cilët zemërohesh; falë aftësisë së tyre për të qënë personazhi njëqindenjëzetë përqind. Harrelson, Timoleon Gketsos, Vicki Berlin plotësojnë mrekullisht kampin tjetër. Ama njëra prej këtij kampi të bie shumë në sy.

Dolly De Leon, aktorja filipineze e cila luan Abigail në “Triangle of Sadness” është vërtet qershia mbi tortë, është kapaku përfundimtar që i vendoset kësaj tenxhereje me presion. Dhe çfarë Qershieee… Dhe çfarë Kapaku.

Është një film që shndërrohet në një përvojë fizike që nuk e harron dot. Si në një komedi, të qeshurat janë aty, por aty janë po aq sikleti i sekëlldisë që të krijohet nga shpifësia e përshkruar deri në detajet më të imëta. Dhe akoma më shumë ankthi nga skena e fundit e cila të krijon edhe ty atë që quhet trekëndësh trishtimi. Duhet të shohësh filmin për ta ditur se çfarë është…