Aktualitet

Tritol biznesit në Durrës, dyshohet një konflikt i nisur në Angli!

Një sasi tritoli e hedhur nga xhami i një makine, shpërtheu sot në Durrës, në zonën e ish-Kënetës, në atë që njihet si lagjja 17/1, rruga “Shenjtorët”. Pas orës 03:00 të mëngjesit, eksplozivi u hodh në drejtim të fasadës së një dyqani, në pronësi të 58-vjeçarit Shaban Aga. Si pasojë e shpërthimit, fatmirësisht nuk ka të lënduar, por u shkaktuan dëme të shumta materiale.

Sipas policisë, “autor i dyshuar është një 31-vjeçar nga Burreli, me të cilin familja Aga ka një konflikt të mëparshëm”. Për mediat, i dëmtuari tha se kërkon drejtësi dhe se ky është rast i përsëritur, ndaj për arsye sigurie, fëmijët i ka dërguar në Gjermani e Angli, ndërsa bashkëshorten, te familjarët e saj.

Eshtë e pesta herë brenda një muaji që mua më kanë sulmuar. Dy herë më kanë hyrë në banesë dhe më kanë lyer makinën me benzinë. Dy herë më kanë qëlluar në drejtim të shtëpisë me armë dhe kjo është hera e pestë që më hedhin tritol. Si pasojë e kësaj raprezaljeje, tre fëmijët i kam nisur në Gjermani e në Angli. Jetoj vetëm në shtëpi, gruan e kam çuar te njerëzit e saj. Kërkoj drejtësi, të zbardhet kjo ngjarje e të jetoj i qetë në banesën time. Kush janë këta persona të interesuar të më godasin, kur unë filmimet i dorëzova edhe në Polici? Personalisht nuk i kam borxh askujt!

Duket se gjithçka e ka zanafillën në një konflikt që djali i Shaban Agës ka në Angli, por që po zhvendoset deri në Durrës. Shkurtimisht, ai tregoi:

Unë nuk e di çfarë konflikti ka ky njeri me djalin. Më ka ardhur para 6 muajsh dhe më ka bërë presion te lavazhi. I thashë, ik! Të tjerat, t’i zbardhë policia!

Ndërkohë, bëhet e ditur se Prokuroria e Durrësit ka ngritur grupin hetimor, që po dokumenton provat.