Aktualitet

Tritol në mes të ditës një lokali në Shkodër!

Një sasi tritoli shpërtheu sot në mesditë në një lokal në Shkodër. Fatmirësisht nuk pati të lënduar, por nuk kanë munguar dëmet materiale në objektin që rezulton në pronësi të shtetasit, Gjin Guri. Policia dhe grupi hetimor në vendngjarje po punojnë për të zbardhur autorët e mundshëm e motivet.

Njoftimi i Policisë:

Në sallën operative të DVP Shkodër është marë njoftim se në  buzë të rrugës që të çon në Malin e Shoshit, Njësia Administrative Shosh, Bashkia Shkodër, në lokalin e shtetasit Gj. G., ka ndodhur një shpërthim i vogël, dyshohet nga lëndë plasëse (artizanale). Nuk ka dëme në njerëz, vetëm dëme materiale. Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë janë nisur për në vendngjarje.

Ndërkaq, shtetasi Gjin Guri, pronar i lokalit ku ndodhi shpërthimi, rezulton pak vite më parë i arrestuar nga policia pasi shkëmbeu zjarr me uniformat blu në një aksion anti-kanabis në fshatin Shosh të Dukagjinit ku njihej si kultivues i bimëve narkotike. Për të mos lejuar kontrollet në parcelat e tij, qëlloi me armë zjarri drejt policisë. Fatmirësisht nga të shtënat nuk u shënuan të lënduar.