Aktualitet

Tritoli në banesë, shefi i Krimeve Shkodër, Pllumb Shpati: Nuk kam konflikte!

Babai i Pëllumb Shpatit, shefit të Krimeve në Shkodër, që sot u bë shenjestër e shpërthimit me tritol pranë banesës, dyshon se ngjarja ndodhi për shkak të detyrës së djalit të tij. Në një deklaratë për mediat, Gjergj Shpati tha se në shtëpinë ku u vendos lënda shpërthyese jetojnë tre familje, ndërsa shtoi se dëmet materiale janë të shumta. Kamerat e sigurisë fiksuan një person që vendoste lëndën plasëse.

Kam dëgjuar krismën, kam dalë dhe e kam parë. Ne jetojmë këtu tre familje. Ishte i fuqishëm, e kallxojnë dëmet. Ka dëme në dritare, dyer, fasadë… S’e dimë nga erdhi, s’e priti kush. Nuk e dimë, ishim në gjumë. Po për shkak të detyrës… se ne s’kemi ngatërresa, si kam kujt borxh e as më ka. Shteti me pas mundësi të bëjë punën, të hetojë.

Shefi i Krimeve të Policisë së Shkodrës, Pllumb Shpati foli jashtë kamerave për sulmin me tritol në banesën e tij, duke u shprehur se nuk ka konflikt me askënd dhe se nuk ka dijeni se kush mund ta ketë organizuar sulmin.

Në informacionin paraprak të Policisë Shkodër thuhej:

Rreth orës 03:50, në lagjen Dobraç, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse, përpara banesës së shtetasit P.Sh., me detyrë shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë Shkodër.

Si pasojë janë shkaktuar dëmtime të lehta në banesën e tij, si dhe është dëmtuar automjeti i tij. Grupi i posaçëm hetimor i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, nga veprimet e para hetimore, ka siguruar prova që do të çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon puna për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Në një vit, ky është sulmi i 6-të ndaj uniformave blu në Shkodër dhe asnjë prej rasteve nuk është zbardhur, duke mbetur pa autorë. Madje, ngjarja e sotme përkon me 110-vjetorin e Policisë së Shtetit.