Aktualitet

Tronditëse, fëmijët viktimat më të mëdha të pandemisë!

Sipas shoqatës Evropiane për nevojat e fëmijëve viktimat më të mëdha të pandemisë kanë qenë fëmijët. Organizatat janë të shqetësuara për përshkallëzimin e dhunës në familje e lidhur kjo me stresin në rritje të prindërve për shkak të humbjes së të ardhurave, pasigurisë në punë, por edhe vështirësitë me të mësuarit në internet, duke ndikuar drejtpërdrejt në gjendjen shpirtërore dhe mendore të fëmijëve.

Sipas Jana Hainsworth nga “Eurochild” një në pesë fëmijë në Evropë ndjehet i trishtuar ose i pakënaqur shumicën e kohës.

Është një shifër mjaft tronditëse. Ndërkohë që sa i përket fëmijëve me aftësi të kufizuara një në dhjetë fëmijë gjenden në gjendje ankthi ose po përballen me depresion ekstrem kështu që barra e shëndetit mendor është me të vërtetë e madhe për fëmijët

Ndër të tjera pandemia ka përkeqësuar pabarazitë midis fëmijëve. Para pandemisë 18 milion fëmijë në Bashkimin Evropian gjendeshin në pragun e varfërisë dhe përjashtimit social një shifër që rrezikon të rritet për shkak të krizës shëndetësore.

Për të trajtuar këto pabarazi Komisioni Evropian nisi një strategji dhe një propozim për të drejtat e fëmijëve. Qëllimi është të inkurajohen shtetet anëtare të hartojnë politika të përqëndruara tek fëmijët dhe të forcojnë sistemet ekzistuese të mbrojtjes.

Shtetet anëtare inkurajohen të përdorin të paktën 5% të fondeve sociale të BE-së për të luftuar varfërinë e fëmijëve. Ndërkohë qeveritë duhet të përdorin paratë nga fondi i rimëkëmbjes për të ndjekur objektivat e strategjisë.

Ndonjëherë ne mendojmë se kur themi se fëmijët janë e ardhmja është thjesht një parrullë, por është e vërtetë, ne me të vërtetë po punojmë për fëmijët dhe po hedhim bazat për brezin e ardhshëm.

Tani gjithçka varet nga vullneti i Shteteve Anëtare për t’i bërë ambiciet e Komisionit Evropian një realitet.