Bota Botë e Çuditshme

Tronditëse numri i priftërinjve në Francë që kanë abuzuar me fëmijë!

Rreth 330,000 fëmijë kanë qenë viktimë e abuzimit seksual nga Kisha Katolike në Francë gjatë 70 viteve të fundit, kjo sipas një raport të publikuar nga “VOA”. Ky është dokumentimi i parë gjithëpërfshirës në Francë, i kryer nga Komisioni i Pavarur për Abuzimin Seksual në Kishë, mbi këtë fenomen të rëndë. Jean-Marc Sauve, presidenti i Komisionit të Pavarur për Abuzimet Seksuale në Kishë tha se:

Abuzimet e kryera nga rreth 3,000 priftërinj dhe njerëz të tjerë të angazhuar me kishën janë fshehur në mënyrë sistematike për dekada nga autoritetet e kishës katolike. Janë bërë gabime dhe natyrisht shkelje civile dhe kriminale nga abuzuesit, ndonjëherë edhe nga zyrtarët e Kishës, që nuk denoncuan dhe madje në shumë raste rrezikuan fëmijët me vetëdije, duke i vënë ata në kontakt me abuzuesit. Ka patur kryesisht një neglizhencë, dështime, heshtje, fshehje institucionale të abuzimeve në mënyrë sistematike.

Komisioni i bëri thirrje kishës të “pranojë” përgjegjësinë e saj, duke denoncuar “gabimet” dhe “heshtjen” dhe i bëri thirrje shtetit francez të ndihmojë në kompensimin e viktimave, veçanërisht për rastet që janë shumë të vjetra për t’u ndjekur penalisht përmes gjykatave.

Rikujtojmë, se para disa viteve, Papa Françesku kërkoi falje për prifërinjtë pedofilë që ndër vite kanë abuzuar seksualisht dhe fizikisht me mijëra fëmijë të pambrojtur. Ati i Shenjtë i cilësoi monstra ata që kanë kryer këtë mëkat të pafalshëm. Papa Françesku rrëfeu se disa prej viktimave të pedofilisë arritën deri në vetvrasje.