Bota

Tronditet Dublini, vriten në mënyrë barbare 2 fëmijë dhe motra e tyre e madhe!

“Më ndihmoni!” është britma që u dëgjua disa momente para se binjakët 8-vjeçarë Chelsea dhe Christy Cawley të sulmoheshin me thikë në Dublin, për t’i hedhur më pas nga dritarja e katit të sipërm të një shtëpie në Tallaght. Edhe motra e tyre 18-vjeçare, Lisa Cash, ka mbetur e vrarë teksa tentoi që të mbronte të miturit. Ndërkohë thuhet se ka qenë vëllai i tyre 14-vjeçar, ai që ka arritur që të ngrejë alarmin.

Ky i fundit është duke u trajtuar në spital për shkak të plagëve të marra. Lidhur me ngjarjen shokuese, fqinjët janë shprehur se kanë dëgjuar ulërima që vinin nga shtëpia dhe një grua që bërtiste “Më ndihmoni, më ndihmoni”, raporton “Irish Mirror”. “Ishte një gjakderdhje dhe ata fëmijë të varfër nuk patën asnjë shans. Skena ishte e tmerrshme dhe të tre viktimat pësuan vdekje të dhunshme”, ka thënë një burim për “The Sun”.

Detektivët besojë se Lisa u vra e para kur u përpoq që të ndalonte vrasësin me thikë që të shkonte drejt binjakëve. Ndërsa vëllai i tyre ishte në gjendje që të arratisej dhe të thërriste për ndihmë. I dyshuari 25-vjeçar, i cili është arrestuar në vendin e ngjarjes, nuk e njihnin viktimat, ka zbuluar policia.

Nga ana tjetër mësohet se nëna e fëmijëve nuk ishte në banesë në momentin e sulmit, por ka nxituar për në shtëpi në përpjekje për të shpëtuar fëmijët e saj. “The Sun” shkruan se vendi i ngjarjes mbetet i bllokuar dhe vijon ekspertiza mjeko-ligjore. Policia po kryen gjithashtu hetime shtëpi më shtëpi, ndërsa po përpiqet të përcaktojë motivin e vrasjeve shokuese.