Bota Botë e Çuditshme

Tualetet e lashta në Jeruzalem ‘zbulojnë’ sëmundjen vdekjeprurëse!

Njerëzit e epokës së hekurit që kanë përdorur dy tualete të lashta në Jeruzalem, nuk ishin të shëndetshëm, sipas një analize të mostrave të jashtëqitjes nga tualetet 2500-vjeçare. Studiuesit gjetën gjurmë të parazitëve që shkaktojnë dizenteri në materialin e gërmuar nga gropat poshtë dy tualeteve prej guri që i përkisnin familjeve elitare në qytet. Në atë kohë, Jeruzalemi ishte një qendër e gjallë politike dhe fetare në perandorinë asiriane dhe shtëpia e 8000-25000 njerëzve.

Prova më e hershme e njohur e një sëmundjeje të quajtur Giardia duodenalis, e cila shkakton diarre, dhimbje barku dhe humbje peshe, ishte identifikuar më parë në Turqinë e epokës romake dhe në Izraelin mesjetar. Dr. Piers Mitchell, autori kryesor i studimit që u botua në revistën shkencore Parasitology dhe një bashkëpunëtor nderi në Departamentin e Arkeologjisë të Universitetit të Kembrixhit, tha në një deklaratë:

Dizenteria përhapet nga feçet që ndotin ujin e pijshëm ose ushqimin dhe ne dyshuam se mund të kishte qenë një problem i madh në qytetet e hershme të Lindjes së Afërt të lashtë për shkak të mbipopullimit, nxehtësisë, mizave dhe ujit të kufizuar gjatë verës.

Arkeologët që gërmuan në tualete morën mostra nga sedimenti në gropën nën çdo tualete. Ata gjetën një tualet në jug të Jeruzalemit në lagjen Armon ha-Natziv në një pallat të gërmuar në vitin 2019. Ka të ngjarë që daton nga ditët e mbretit Manaseh, i cili sundoi për 50 vjet në mesin e shekullit të shtatë para Krishtit. E bërë prej guri gëlqeror, tualeti ka një vrimë të madhe qendrore për jashtëqitjen dhe një vrimë ngjitur me gjasa për urinimin e meshkujve.

Një tualet tjetër i ngjashëm në dizajn, u gërmua në Jeruzalem, në një ndërtesë me shtatë dhoma të njohur si Shtëpia e Ahielit, e cila kishte qenë shtëpia e një familjeje të klasës së lartë në atë kohë. Vezët e katër llojeve të parazitëve të zorrëve, krimbi shirit, krimbi i rrumbullakët dhe krimbi i kamxhikut, ishin identifikuar më parë në sedimentin e gropës. Por mikroorganizmat që shkaktojnë dizenteri janë të brishtë dhe jashtëzakonisht të vështirë për t’u zbuluar, sipas studimit të ri.

Studiuesit testuan për Entamoeba, Giardia dhe Cryptosporidium: tre mikroorganizma parazitarë që janë ndër shkaqet më të zakonshme të diarresë tek njerëzit. Testet për Entamoeba dhe Cryptosporidium ishin negative, por ato për Giardia ishin vazhdimisht pozitive. Lindja e Mesme ishte rajoni i botës ku njerëzit krijuan për herë të parë vendbanime, mësuan të kultivonin dhe zbutën kafshët dhe ku u ngritën qytetet e para të mëdha. Sipas studimit, qytete të tilla si Jerusalemi kanë qenë pika të nxehta për shpërthimet e sëmundjeve të cilat do përhapeshin lehtësisht nga tregtarët dhe gjatë ekspeditave ushtarake. Qytetet nuk ishin të planifikuara dhe të ndërtuara me një rrjet kanalizimesh, tualetet për shpëlarje nuk ishin shpikur ende dhe popullsia nuk e kishte kuptuar ekzistencën e mikroorganizmave dhe mënyrën se si ato mund të përhapeshin.