Rajoni

Tubime në Mal të Zi në mbështetje të serbëve në veri të Kosovës!

Protesta në Malin e Zi, në shenjë mbështetjeje për serbët në veri të Kosovës që protestojnë duke kërkuar largimin e kryetarëve shqiptarë të zgjedhur më 23 prill në komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviç e Zubin Potok. Po ashtu bëjnë thirrje për largimin e njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Një natë më parë, disa qindra qytetarë u mblodhën para një kishe në kryeqytetin malazez, Podgoricë. Në tubim nuk pati fjalime, ndërsa pjesëmarrësit brohorisnin: Kosova është zemra e Serbisë, si dhe dhanë mesazhe të tjera.

Të veshura mbanin bluza me mbishkrimet: Vëllai për vëllanë, nuk ka dorëzim, Kosova është Serbi, Mali i Zi – Rusi, si dhe me portretin e presidentit rus, Vladimir Putin. Ftesa për tubim u shpërnda në rrjetet sociale dhe organizatorë ishte një grup qytetarësh.

Mes pjesëmarrësve pati edhe disa deputetë të subjekteve më të vogla pro-serbe si Bogdan Bozhoviç nga Partia Popullore Socialiste dhe Marko Millaçiç nga Mali i Zi i Vërtetë, si dhe Dejan Vukshiç nga lista zgjedhore e Koalicionit Popullor.

Në qytetin e Nikshiqit, po në Malin e Zi, sot pritet të mbahet një tubim i ngjashëm. Rreth një e treta e banorëve të vendit të vogël ballkanik identifikohen si serbë dhe afro dy të tretat i takojnë një dege lokale të Kishës Ortodokse Serbe.

Tensionet me Beogradin janë zbutur ndjeshëm që nga koha kur Mali i Zi  shpalli pavarësinë në vitin 2006, por çështjet e identitetit kombëtar malazez e të kulturës së përbashkët, ende shkaktojnë dilema.

Qytetarë në Zveçan kanë nisur të grumbullohen që në orët e para të mëngjesit, por në numër më të vogël se dje. Punonjësit e Autoritetit të Përkohshëm të Komunës së Zveçanit, e cila funksionon nën sistemin e Serbisë janë duke u regjistruar në listën e të punësuarve që është vendosur në një tryezë, si dëshmi të pjesës “që vijnë në punë”.

Udhëheqësit e 27 vendeve të Bashkimit Europian dhe të 20 shteteve të tjera të Europës, sot mblidhen në Moldavi për të diskutuar një varg çështjesh, mes tyre tensionet në veri të Kosovës.