Sport

Tunizia mposht Francën, ‘Gjelave’ u bien puplat!

Franca e mbyll në vendin e parë Grupin D, edhe pse “Gjelat” të përfshirë nga ndryshime të shumta në formacion prej Didier Deschamps dolën të mposhtur nga ndeshja e tretë në grup përballë Tunizisë me rezultatin 1-0.

Sa i takon sfidës, Franca nuk shkëlqeu sidomos në pjesën e parë të lojës me tunizianët që u shfaqën kërkues në pjesën më të madhe të fraksionit të parë, të imponuar edhe nga shansi minimal që kishin për t’u kualifikuar. Në minutën e tetë, Tuniza në fakt e gjeti rrugën e rrjetës, por festa zgjati pak pasi Ghandri ishte në pozicion të parregullt dhe anësori u tregua i vëmendshëm për ta akorduar ndërsa edhe VAR konfirmoi vendimin e tij.

Në 45-minutat e dyta, Franca provoi të shfaqej më kërkuese në fushë, por Tunizia befasoi dhe i ndëshkoi në minutën e 58-të me anë të Khazri që përfitoi edhe nga një gabim i Fofana në mesfushë. Në vijim, Franca provoi maksimumin për të reaguar sidomos me Mbappe dhe Dembele që u aktivizuan pas disavantazhit, por pa rezultuar të suksesshëm. Në fund, Griezmann shënoi por VAR ndërhyri dhe e anuloi golin e francezëve ndërsa Tunizia pavarësisht fitores nuk ia del të kualifikohet edhe pse e mbyll grupin me katër pikë.

Nga ana tjetër, në fazën pasardhëse, Franca pret përballjen me skuadrën e renditur në vendin e dytë në Grupin B, aty ku rrezikohet edhe një sfidë me Argjentinën.