Bota

Tunizia në krizë politike, Presidenti shkarkon Kryeministrin, pezullon Parlamentin!

Prej muajsh, Tunizia është paralizuar nga një krizë e thellë politike që i shtohet situatës alarmante nga koronavirusi. Por gjithçka kulmoi orët e fundit me vendimin e Presidentit Kais Saied, i cili pezulloi për 30 ditë Parlamentin e shkarkoi kryeministrin Hichem Mechichi.

Hapi pason protestat anti-qeveritare në disa qytete që u shpërndanë dhunshëm nga policia. Forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës e kryen arrestime.

Kryetari i Shtetit, Saied deklaroi:

Derisa të rikthehet qetësia e të garantohet siguria e shtetit, vendosëm t’i heqim imunitetin deputetëve e të pezullojmë Parlamentin. Kushdo që i drejtohet armëve e qëllon, ta dijë mirë se forcat e armatosura do të kundërpërgjigjen duke hapur zjarr!

E gjithë zona përreth godinave qeveritare është blinduar e mbrohet nga forcat e sigurisë ndërsa në krye të Ministrisë së Brendshme u komandua shefi i sigurisë presidenciale, Khaled Yahyaoui.

Pak orë pas njoftimit, ushtria i ndaloi hyrjen në selinë e Parlamentit, kryeparlamentarit Rached Ghannouchi, njëherazi kryetar i partisë islamike Ennhadha, i cili u paraqit atje me përfaqësues të koalicionit islamik Al Karama.

Presidenti Saied hodhi poshtë akuzat se ka vënë në zbatim një grusht shteti.

Janë vendime kushtetuese që bazohen në Kushtetutë. Kush flet për grusht shteti duhet të lexojë Kushtetutën ose të rikthehet në klasën e parë fillore. Unë jam treguar i duruar dhe kam vuajtur me popullin tunizian.