Aktualitet

Turi i Mirënjohjes, kryeministri Rama në Gjirokastër: Njerëzit na votuan se ende kanë pritshmëri të larta ndaj nesh!

Nga Gjirokastra ku u ndal në vijim të turit të falenderimeve për fitoren në zgjedhjet vendore të 14 Majit, kryeministri Edi Rama tha se besimi që iu dha PS-së lidhet me faktin se njerëzit ende kanë pritshmëri të larta ndaj tyre.

Nuk është një votë kënaqësie, nuk kanë votuar për ne kaq masivisht se janë të kënaqur… këtë duhet ta kuptojmë shumë mirë. Duhet ta kuptojmë që njerëzit janë të pakënaqur, kjo është e vërteta sepse ka shumë gjëra për të mos qenë të kënaqur. Njerëzit kanë votuar sepse pavarësisht se janë të pakënaqur, akoma kanë pritshmëri të lartë ndaj nesh dhe besojnë fort që vetëm ne mund t’i bëjmë gjërat që ata presin. Kjo nuk është arsye të mbushemi me vetëkënaqësi e të ndihemi sikur kemi lumturuar njerëzit. Ne duhet të ndihemi të sfiduar se na është hedhur një dorashkë nga një shumicë, që po të shikoni votat është shumica më e madhe që ka votuar PS-në.

Gjatë një takimi me qytetarë, Rama u shpreh se kur Partia Socialiste mori mandatin në Gjirokastër, qyteti kishte vetëm një hotel e gjysmë, ndërsa tani Gjirokastra vizitohet nga 600 mijë turistë, krahasuar me 200 mijë vitin e kaluar.

Sa herë që vjen në Gjirokastër, shikon gjëra të reja. Po kujtoja që 2022-shin e mbyllëm me 200 mijë vizitorë, ndërsa tani me 600 mijë turistë e kjo tregon dhe punën e bërë. Kur e kemi nisur e kemi gjetur Gjirokastrën me një hotel e gjysmë.

Në fjalën e tij, shefi i qeverisë vuri në dukje se janë shumëfishuar turistët në Gjirokastër, ndërsa shtoi se synon që numrin e tyre ta çojnë në 500 mijë në këtë qytet jugor.

Kemi shumëfishuar turistët, por është plotësisht e mundur që numrin e turistëve në Gjirokastër të çojmë në gjysmë milion.

Duke u ndalur te njerëzit e minoritetit grek, kryeministri Rama tha se ata jo vetëm që trajtohen mirë, por edhe pijnë në dy nëna.

Grekët janë njerëz të mençur, duan që të pijnë dy nëna dhe mirë e kanë. Kush thotë që minoriteti nuk trajtohet mirë, nuk di gjë fare nga realiteti. Jo vetëm që trajtohet mirë, por pi dy nëna.

Rama shkoi dhe në Lazarat, pranë Qendrës së Përpunimit të Bimëve Medicinale, e inauguruar dy ditë më parë.