Bota

Turqia dënon aneksimin e 4 rajoneve ukrainase nga Rusia!

Turqia iu bashkua komunitetit ndërkombëtar në dënimin e përpjekjes së Rusisë për të aneksuar katër rajone ukrainase. Për Ankaranë zyrtare, “veprimet ruse përbëjnë shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar”. Po ashtu, Turqia refuzon të njohë aneksimin e paligjshëm të gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia, 8 vjet më parë. Shteti turk mbështet një zgjidhje paqësore përmes negociatave.

Ne përsërisim mbështetjen tonë për zgjidhjen e kësaj lufte, ashpërsia e së cilës po vazhdon të rritet. Ne mbështesim një zgjidhje të bazuar në paqe, që mund të arrihet përmes negociatave.

Një ditë më parë, presidenti rus, Vladimir Putin, nënshkroi dokumentet për zyrtarizmin e përpjekjeve të Rusisë për të aneksuar rajonet ukrainase të Donjeckut, Luhanskut, Khersonit e Zaporizhjës, territore të pushtuara nga forcat ruse. Më herët, Moska mbajti referendume të rreme në këto katër rajone, votime që janë dënuar nga komuniteti ndërkombëtar.

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se “këto veprime nuk kanë legjitimitet”, ndërsa shtetet e tjera, përfshirë Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Suedinë dhe Poloninë dënuan veprimin e Moskës. Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Rusia vendosi veto ndaj një rezolute që kërkon ndalimin e menjëhershëm “të pushtimit të paligjshëm dhe në shkallë të gjerë të Ukrainës”.

Tre shtete të Baltikut, Estonia, Lituania e Letonia publikuan një deklaratë të përbashkët ku mbështesin kërkesën e Kievit, që Ukrainës t’i mundësohet anëtarësimi i përshpejtuar në NATO.

Miqtë e Ukrainës në Baltik mbështesin plotësisht anëtarësimin e Ukrainës në NATO, sa më shpejt të jetë e mundur. Guximi i Ukrainës vetëm mund ta forcojë aleancën tonë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi se Kievi po kërkon t’i bashkohet menjëherë Aleancës, pas përpjekjeve të Moskës për të marrë katër rajone ukrainase. Por, ndaj kësaj kërkese kishte një përgjigje të kujdesshme nga Uashingtoni dhe nga selia e NATO-s.

Jake Sullivan, këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare:

Tani për tani, qëndrimi ynë është se mënyra më e mirë që ne të mbështesim Ukrainën është përmes mbështetjes praktike në terren dhe se procesi në Bruksel duhet të nisë në një kohë tjetër.

Analistët thonë se “ka pak të ngjarë që NATO të pranojë si anëtare një shtet që është në luftë”. Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, duke filluar luftën më të madhe në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore. Konflikti la të vrarë mijëra persona e miliona të tjerë u zhvendosën.