Bota

Turqia ofensive kunder kurdëve në Siri, gati operacioni ushtarak!

Ushtria turke ka shtuar bombardimet ndaj forcave kurde pranë qytetit Tal Tamr në verilindje të Sirisë, duke detyruar largimin e qindra banorëve nga shtëpitë e tyre. Zyrtarët e kësaj zone kanë frikë se një operacion i ri ushtarak nga Turqia do të shkaktonte një krizë tjetër të personave të zhvendosur.

Gjatë ditëve të fundit, ushtria turke ka intensifikuar sulmet pranë një qyteti të kontrolluar nga kurdët në verilindje të Sirisë, duke synuar një numër fshatrash pranë kufirit Siri-Turqi.

Banorët janë të shqetësuar se agresioni është një paralajmërim i një ofensive ushtarake turke në rajon që ka në shënjestër trupat kurde të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, që Ankaraja i ka cilësuar si terroriste.

Bombardimet kanë detyruar largimin e qindra banorëve nga shtëpitë e tyre. Shumica e tyre kërkuan strehim në qytetin e afërt të Tal Tamrit.

“Nuk dimë ku të shkojmë. Jemi të hutuar dhe nuk kemi strehim”, thotë Um Omar, një grua e zhvendosur.

Shumë civilë të arratisur thonë se u detyruan të linin të gjitha gjërat e tyre.

“Kemi patur shumë prona dhe toka bujqësore. Tani, ne jemi tetë njerëz që banojmë në një dhomë”, thotë Abu Ghassani.

Konflikti sirian mbi dhjetë vjeçar ka goditur rëndë civilët, të cilët dëshirojnë që luftimet të ndërpriten.

“Dëshirojë që të gjitha vendet e përfshira në Siri të gjejnë një zgjidhje në mënyrë që njerëzit si ne të kthehen të sigurt në shtëpitë e tyre. Ata duhet ta kuptojnë atë që po përjetojmë”, thotë refugjatja Um Mahmoud.

Sipas zyrtarëve lokalë, aktualisht ka 16 kampe zyrtare dhe jozyrtare për personat e zhvendosur në verilindje të Sirisë.

Ata thonë se një operacion i ri ushtarak turk do të krijonte një krizë tjetër të personave të zhvendosur në rajon.