Bota

Turqia skeptike, Kryeministrja suedeze: Jemi gati të zgjidhim çdo pikëpyetje!

Kryeministrja suedeze është shprehur se është e gatshme për bisedime me Turqinë për të zgjidhur çdo problem.

Kjo pasi Turqia, një anëtare e NATO-s, ngriti kundërshtime ndaj vendeve që i bashkohen bllokut.

“Ne po kërkojmë kontakt me Turqinë dhe jemi të përgatitur të udhëtojmë në Turqi për të diskutuar dhe sqaruar çdo pikëpyetje që mund të ketë”, tha kryeministrja e Suedisë.

Gjatë konferencës për shtyp, të dy udhëheqësit thanë se synonin të dorëzonin ofertat e tyre për t’u bashkuar me NATO-n së bashku të mërkurën në selinë e aleancës ushtarake në Bruksel.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka thënë se dy vendet nordike nuk duhet të dërgojnë delegacione për të bindur Turqinë për ofertat e tyre pasi i cilëson si vende që mirëpresin në territorin e tyre terroristë kurdë.

Pa mbështetjen e të gjithë anëtarëve të NATO-s, Suedia dhe Finlanda nuk mund t’i bashkohen aleancës ushtarake.

Kujtojmë se ditën e sotme parlamenti i Finlandës ka miratuar kërkesën për anëtarësimin në NATO.

Votimi erdhi pasi Presidenti Sauli Niinisto dhe qeveria vendosën zyrtarisht se vendi do nisë një ofertë për t’u anëtarësuar në NATO, por vendimi ishte në pritje të miratimit nga parlamenti.

Kryetari Matti Vanhanen ka deklaruar se nga 200 ligjvënës, 188 votuan pro anëtarësimit të vendit në NATO, raporton news.sky.

Ministri i Jashtëm, Pekka Haavisto tha se vendimi nuk ishte arsye për të festuar për arsye të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.