Bota Sociale Tech

Twitter ndalon reklamat “mashtruese” që kanë lidhje me ndryshimet kimatike!

Twitter po ndalon reklamat mashtruese që janë kundër konsensusit shkencor të ndryshimeve klimatike. Këtë e njoftoi kompania të premten kur ishte edhe Dita e Tokës. Ata që mohojnë efektet e ndryshimeve klimatike kanë synuar faqe të tilla si Twitter dhe Facebook, duke u mundësuar atyre të arrijnë qindra e mijëra përdorues të këtyre platformave me pretendime të rreme. Ndryshimi i shpallur nuk tregoi nëse Twitter do të ndalonte apo fshinte llogaritë e përdoruesve që postojnë dezinformata për ndryshimet klimatike. Postimi në blog i Twitter citoi Panelin Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike, raporti i fundit i të cilit bëri thirrje për “reduktime të menjëhershme dhe të thella të emetimeve” për të luftuar ndikimet e ngrohjes globale.

Gjigandi i teknologjisë tha se po punon për të shtuar “kontekst më të besueshëm dhe autoritar” në bisedat rreth klimës në platformën e tij.
Lëvizja e Twitter pason veprimet e ndërmarra nga kompani të tjera të teknologjisë. Në fillim të këtij muaji, Pinterest njoftoi se do t’i ndalojë përdoruesit të ndajnë informacione të gabuara klimatike në faqen e tij, duke e ndaluar plotësisht përmbajtjen. Gjithashtu do të heqë postimet që mohojnë ndryshimin e klimës. Dhe vitin e kaluar, Google, njoftoi se po ndalonte reklamat në përmbajtje nga mohuesit e ndryshimeve klimatike në platformën e saj, si dhe ndalonte reklamat që mohojnë ndryshimin e klimës.

Më vonë, disa orë pas përditësimit të politikave të Twitter, politikëbërësit evropianë arritën marrëveshje mbi rregulloret gjithëpërfshirëse të teknologjisë që përfshinin rregulla më të rrepta se si platformat rregullojnë dezinformimin dhe përmbajtjen e paligjshme në mediat sociale dhe platforma të tjera. “Big Tech” është përballur me presion të shtuar për të luftuar përhapjen e dezinformatave klimatike në platformat e tyre.
Një letër e hapur e nënshkruar nga më shumë se 200 shkencëtarë, aktivistë dhe organizata nëntorin e kaluar u bëri thirrje CEO-ve të kompanive të mediave sociale, duke përfshirë Facebook, Instagram, Google, Twitter, TikTok, Pinterest dhe Reddit për të vendosur politika të dezinformimit të klimës të ngjashme me ato që ata vendosën për Covid-19.