Aktualitet

U dhunua nga grabitësit, ndërron jetë i moshuari në Mallakastër/Grabitja e përsëritur, familjarët apel shtetit!

Një i moshuar i moshës 89-vjeç ndërroi jetë në Spitalin Rajonal të Fierit ku u dërgua me urgjencë pasi u dhunua fizikisht nga dy persona që të armatosur i hynë në banesë për ta grabitur, duke i marrë edhe një shumë parash.

Viktimë mbeti shtetasi Çaush Shehaj, i cili fatkeqësisht nuk mundi t’iu mbijetojë dëmtimeve të shumta në trup e në kokë. Për ngjarjen e rëndë të ndodhur mëngjesin e një dite më parë në Klos të Mallakastrës, policia identifikoi e vuri në pranga dy autorët e dyshuar të moshave 22 e 28-vjeç. Ata janë shtetasit Ervis Halimi e Musa Gudo dhe akuzohen për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, e kryer në bashkëpunim, “Plagosje e rëndë me dashje” e “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”. Po ashtu, për “Moskallëzim krimi”, uniformat blu proceduan penalisht një të mitur të moshës 16-vjeç.

Rreth orës 08:00 të datës 19.11.2022 është njoftuar salla operative se në orën 02:30, në fshatin Klos, Mallakastër, kishte ndodhur një vjedhje me dhunë, në një banesë.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë organizuan punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale, bazuar dhe në inteligjencën informative, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe identifikimi i personave që, nën kërcënimin e armës së zjarrit, i morën me dhunë një shumë parash, shtetasit Ç. Sh., 89 vjeç.

Bazuar në provat e grumbulluara, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, në ndërveprim me të gjitha strukturat e DVP Fier dhe në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Klosi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

E. H., 22 vjeç, banues në Fier dhe M. G., 28 vjeç, banues në Portëz, Fier. Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi F. Ç., 16 vjeç, banues në Roskovec, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarri tip automatik me një krehër me fishekë.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, e kryer në bashkëpunim, “Plagosje e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

Të afërm të viktimës treguan për mediat se i moshuari kishte rënë pre e grabitjes edhe një javë më parë. Ata kërkojnë të bëhet drejtësi:

Jetonte me gruan, kishte probleme me gruan, sepse ishte me sklerozë dhe jetonin bashkë në kushte jo shumë të favorshme. Ata jetonin vetëm, i kishin vajtur një javë përpara për t’i vjedhur, kjo ishte hera e dytë, policia nuk mori masa, punoi tërë jetën e tij dhe mblodhi 5 lekët dhe ato 5 lekë ia morën me dhunë.

Ata mendonin për lekë të madh, po ai i kishte lekët në bankë. Tre fëmijë i jetojnë në Greqi dhe një në Francë. Jemi indinjuar! Nëse ka shtet e ligje… Të të vrasin në shtëpinë tënde…

Eshtë rasti i dytë dhe është i njëjti person që ka bërë të njëjtën gjë. Vajti policia, mori shenjat e gishtave dhe nuk u bë gjë radhën e parë. I morën çiften dhe e vranë. Jetonte me të shoqen, është i sëmurë, fëmijët janë si gjithë dynjaja të larguar. Duam drejtësi, shteti të vërë dorë!