Aktualitet Politikë

U kap me 20 kg kokainë në Itali, arrestohet ish kryebashkiaku i Vorës Agim Kajmaku; ndërronin vazot e luleve dhe i mbushnin me drogë

Ish kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku nuk ishte vetëm kur u arrestua nga policia italiane për trafik droge. Kur u kap me 20 kg kokainë në zonën e San Benedetto del Tronto ishte së bashku me nipin e tij. Dajë e nip, njëri banues në Itali dhe tjetri në Shqipëri akuzohen për trafikimin e lëndëve narkotike.

Arrestimi u bë me 27 maj 2022 dhe nëse kokaina që u kap nga policia italiane do të hidhej në treg, do të kapte vlerën rreth 1 milion euro. Lënda narkotike ishte fshehur brenda vazove të bimëve që kishte blerë Kajmaku, klient prej kohësh në një fidanishte të njohur nga Grottamare. Karabinierët vunë re një furgon aty pranë dhe identifikuan dy shqiptarë, të cilët i ndoqën.

Kajmaku, së bashku me nipin e tij, kishin mbërritur në shtëpi me një makinë Volkswagen Polo, të punësuar së bashku me familjarët, gjithsej katër persona.

Karabinierët kontrolluan shtëpitë e tyre në Ascoli por nuk gjetën asnjë gjurmë droge. Dajë e nip kishin blerë bimët e vogla në fidanishte por vendosën që të bënin ndryshim dhe t’i vendosnin në vazo më të mëdha që i blenë në një biznes lokal. Para se të bëhej ndryshimi, pronari i fidanishtes pa lëvizje të çuditshme dhe njoftoi menjëherë karabinierët. Kështu u bë i mundur arrestimi i Kajmakut dhe nipit të tij, por ende nuk dihet destinacioni i kokainës.

Kujtojmë se Kajmaku, para se të bëhej kryebashkiak i Vorës, merrej me biznesin e fidanëve, farërave dhe plehrave, me firmën e tij që quhej “Kajmaku shpk” e ku merrej me “prodhim, shitje, tregim shumë e pakicë farash, fidanëve, pemëve frutore e dekorative, etj., punim i sipërfaqeve të gjelbërta, parqe, dekore urbane…”.

Operacioni vijon dhe Italia ka kërkuar edhe ndërhyrjen e Policisë Shqiptare.

Kush është Agim Kajmaku?

Agim Kajmaku u zgjodh në krye të Bashkisë Vorë në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, por u denoncua nga PD se kishte fshehur dënimin në Greqi për falsifikim parash dhe se kjo nuk ishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit. Fillimisht kjo u mohua prej tij, por më pas u vërtetua nga prokuroria e Tiranës përmes një letërporosie dërguar autoriteteve greke se ai ishte në kërkim në 2003 për falsifikim të kartëmonedhave dhe nuk ishte arrestuar pasi kishte ikur në Shqipëri. Nga përgjigjja që Interpol Greqia dhe Interpol Tirana i kanë dërguar Prokurorisë së Përgjithshme, është vërtetuar se gjurmët e gishtërinjve të Agim Kajmakut janë të njëjta me Jorgo Toton, i cili është arrestuar në Greqi dhe këtë arrestim nuk e ka deklaruar kur ai kandidoi për zgjedhjet e 30 qershorit nën siglën e PS-së./shqiptarja