Aktualitet Bota

U kap me drogë në Itali, përballjet me drejtësinë të Kajmakut, nga arratia te arrestimi në spital në Tiranë

Ish-kryebashkiaku i Vorës Agim Kajmaku është arrestuar nga policia italiane, pasi është kapur me 20 kg drogë. Ish-kryebashkiaku është tashmë përpara drejtësinë italiane, ndërsa ka pasur një histori të gjatë me atë shqiptare.

Kajmaku u zgjodh kryetar i bashkisë së Vorës në 30 qershor 2019, në një garë pa kundërshtar, pasi opozita i bojkotoi zgjedhjet. Ishte pikërisht Partia Demokratike që zbuloi se Kajmaku kishte falsifikuar dokumentin e dekriminalizimit. PD bëri të ditur në atë kohë se ai kishte fshehur dënimin në Greqi për falsifikim.

Pas një sërë akuzash dhe kundër akuzash mes maxhorancës dhe opozitës, drejtësia shqiptare nisi hetimet për Kajmakun. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e shkarkoi nga detyra dhe policia e shpalli në kërkim.

Pas disa muajsh në arrati, ish-kryebashkiaku u arrestua në një spital privat në Tiranë, më 7 korrik 2020. Por, një ditë pas arrestimit, Apeli shpëtoi nga burgu Kajmakun. Ishte prokurorja e çështjes, Arta Marku që kërkoi zbutjen e masës së sigurisë, duke argumentuar qëndrimin e saj për shkak të ndryshimit të rrethanave të ngjarjes.

Sipas Markut në atë kohë, Kajmaku nuk ishte person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe nuk rrezikonte të largohej nga Shqipëria. Vetë Kajmaku me anë të një dokumenti bënte të ditur se vuante prej 15 vitesh nga diabeti.

Por si u arrestua në Itali?

Për rreh 60 ditë Kajmaku dhe grupi të cilit i shërbente ishte nën vëzhgim të rreptë 24 orë. Për të ndjekur hap pas hapi çdo lëvizje të tij, policia italiane kishte montuar kamera në disa akse, banesa dhe lagje ku kryheshin bisedat dhe takimet që kishin tematikë aktivitetin e paligjshëm të lëndëve narkotike në shtetin fqinj dhe Europë.

Një burim pranë policisë shqiptare tha se Kajmaku është arrestuar që në 27 maj me 20 kg drogë. Pas kapjes së tij autoritetet italiane kanë kërkuar informacione te autoritetet shqiptare në lidhje me këtë shtetas i cili ka qenë ndër personat më të rinj që i është bashkuar grupit. Për më shumë se 8 muaj policia italiane kishte rënë në gjurmët e tij, ndërsa nisi ta mbante në vëzhgim derisa u arrestua me 20 kilogramë kokainë.

Agim Kajmaku u shkarkua nga detyra e kryebashkiakut të Vorës që mori në 30 qershor 2019, pasi nuk deklaroi një procedim penal në Greqi. Gjykata e Tiranës kishte caktuar masën arrest me burg për Kajmakun pasi akuzohej për falsifikim të vulave dhe dokumenteve, si dhe për kryerjen e funksionit pasi i kishte përfunduar mandati. 49-vjeçari fitoi zgjedhjet vendore në Vorë, pasi ishte kandidat i vetëm i Partisë Socialiste. Dy javë pasi ishte betuar si kryebashkiak, Partia Demokratike denoncoi Agim Kajmakun se kishte mashtruar me formularin e Dekriminalizimit, duke fshehur identitetin Jorgo Toto, me të cilin ishte ndjekur penalisht në Greqi. Pasi u provuan akuzat, KQZ i hoqi mandatin Kajmakut, por 49-vjeçari pikërisht në atë ditë shkarkoi dy nënkryetarët e bashkisë, që u cilësua si i paligjshëm nga gjykata.

Që prej Nëntorit të 2019, Agim Kajmaku i është fshehur drejtësisë. Ai u arrestua në 2020 në një spital i shtruar pasi vuante nga probleme shëndetësore. Gjykata e Apelit vendosi të ndryshojë masën e sigurisë për ish-numrin një të Bashkisë së Vorës, nga arrest me burg në detyrim paraqitje. Në qershor të 2020, Agim Kajmaku u dorëzua Polici, pas disa muajsh arrati, ndërsa gjykimi ndaj tij po zhvillohet në gjendje të lirë./abc