Rajoni

U kritikua nga BE, Athina zytare tërhiqet nga planet fillestare të testimit anti-COVID!

Qeveria greke tërhiqet nga planet mbi kërkesat e ashpra të testimit për COVID-19 për njerëzit që hyjnë në vend. Kjo pas një breshërie kritikash nga drejtuesit e vendeve të tjera të Bashkimit Europian. Nga e diela, kushdo që hyn në Greqi duhet të tregojë një test negativ PCR jo më të vonët se 72 orë ose një test të shpejtë të bërë në 24 orët e fundit. Rregulli do të zbatohet deri më 10 janar.

Fillimisht, Athina kishte vendosur kërkesa më të rrepta, duke bërë thirrje që kushdo që shkonte në Greqi të paraqiste një test negativ PCR jo më shumë se 48 orë pas mbërritjes. Megjithatë, në një samit të BE-së, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz e të tjerë kundërshtuan testimin e detyrueshëm PCR për udhëtarët e BE-së. Me 17 raste të konfirmuara të llojit të ri e më të transmetueshëm Omicron, Greqia synon të parandalojë përhapjen e tij.

Ndërsa Omicron po përhapet me shpejtësi, europianët e amerikanët po hyjnë në sezonin e festave të fundvitit, sërish me ankth. Shkencëtarët përpiqen të kuptojnë sa më shumë rreth variantit të ri të koronavirusit. Presidenti Joe Biden paralajmëroi se Omicron paraqet rrezik në SHBA, duke krijuar valën e re të infektimeve, ndonëse deri tani, varianti Delta ka kontribuar shumë në rritjen e numrit të të prekurve e viktimave.

Ende ka shumë paqartësi lidhur me Omicronin e deri tani, dihet vetëm se përhapet shumë më shpejt sesa Delta. Ministrat e Shëndetësisë të 7 vendeve më të industrializuara në botë e vlerësuan variantin Omicron, si “kërcënimin më të madh ndaj shëndetit publik në botë”, duke shtuar se “është më e rëndësishme se kurrë më parë që shtetet të bashkëpunojnë nga afër”. Rritja shqetësuese e numrit të të infektuarve dhe paqartësia rreth variantit të ri vjen në kohën kur njerëzit planifikojnë të udhëtojnë për shkak të festave të fundvitit, duke krijuar kushte që virusi të përhapet akoma më shumë.