Bota Botë e Çuditshme Love & Sex

U ndesh me një minë dhe i humbi të dyja këmbët, mos e humbni vallëzimin e martesës të çiftit nga Ukraina!

Një infermiere ukrainase, që humbi të dyja këmbët në luftë, pasi ndeshi në një minë të pashpërthyer, po mundohet të rikthehet në jetë. Oksana Balandina ndau vallëzimin e parë pas dasmës me bashkëshortin e saj Viktor Vasyliv. Çifti i sapomartuar përshkruan tmerrin, që përjetoi ditën kur jeta e tyre ndryshoi përgjithmonë.

Në një spital në Lviv, të sapomartuarit Oksana Balandina dhe Viktor Vasyliv, shijuan kërcimin e tyre të parë pas dasmës. Por, dy 23-vjeçarët mund të mos e përjetonin kurrë këtë moment. Më 27 mars, pak më shumë se një muaj pas fillimit të sulmit të Rusisë kundër Ukrainës, ndërsa po ktheheshin në shtëpinë e tyre në Lysychansk në rajonin e Luhanksut, Oksana hasi në një minë të pashpërthyer. Oksana u shpreh se:

Arrita vetëm që ta thërrisja Viktorin. Rashë me fytyrë në tokë. Koka po më ushtonte. Pastaj fillova të gris rrobat që të merrja frymë më lehtë, sepse nuk kisha ajër të mjaftueshëm.

Viktori, që po ecte pas saj, shpëtoi i padëmtuar:

Gjithçka ndodhi shpejt. Ajo u plagos. Po të mos ishte Oksana, nuk e di se çfarë do të ndodhte. Ajo është shumë e fortë. As nuk i ra të fikët. Ajo më tregoi çfarë të bëja. Në momentin kur ndodhi, rashë në dëshpërim, nuk dija çfarë të bëja. E pashë që nuk mund t’i lëvizte këmbët.

Për një muaj ajo qëndroi në spitale të ndryshme. Mjekët mundoheshin ta trajtonin, ndërsa bombardimet dhe sulmet e ashpra ruse vazhdonin. Në fund, mjekët i prenë të dyja këmbët dhe katër gishtat e dorës së majtë. Oksana vijon duke thënë:

Nuk doja të jetoja një jetë si kjo. Kam dy fëmijë dhe nuk doja që ata të më shihnin në këtë gjendje. Nuk doja që të jem barrë për familjen. Por duhet ta vazhdoj jetën. Ky nuk është fundi. Zoti më la gjallë, ky është fati im.

Dy fëmijët, djali 7-vjeçar dhe vajza 5-vjeçare, tani janë të sigurt me gjyshërit në rajonin e Poltavës në Ukrainën Qendrore. Pas dasmës, çifti synon të shkojë drejt Gjermanisë, me shpresën se Oksana do të vendosë proteza në këmbë dhe do t’i nënshtrohet rehabilitimit shumë të nevojshëm.

Duam të kthehemi në qytetin tonë. Jam e shqetësuar për fëmijët e mi. Kur lufta të mbarojë, do të ketë kaq shumë gjëra. Rrugët janë të minuara, është e frikshme. Qëllimi kryesor është vendosja e protezave dhe rikthimi në këmbë.

Viktori është mirënjohës për çdo ditë tjetër me gruan e tij.

Frikësohesha se mos e humbisja. Nuk mundesha as të qaja. Isha i tronditur. Nuk më besohej se po ndodhte vërtet. Do të ishte e tmerrshme që të humbisja personin që dua.