Aktualitet

U ndoq në Itali me dyshimet se transportonte drogë, gomonia gjendet e djegur në Kurbin!

Gjendet e djegur gomonia që dyshohet se transportonte bimë narkotike, të llojit kanabis dhe që dje arriti t’i shpëtonte ndjekjes policore 4 orëshe në det të Guardia di Finanza-s italiane e policisë shqiptare. Një ditë më parë, përshkoi brigjet e Vlorës, me një ngarkesë të mbuluar.

E pajisur me dy motorë dhe me gjatësi 7-8 metra, sot u zbulua e djegur rreth orës 05:30 minuta të mëngjesit, në Godull, në derdhje të hidrovorit të Adriatikut. Zyrtarisht, policia njofton se nuk është konstatuar asnjë person apo send i kundërligjshëm. Grupi hetimor po punon për të zbardhur më shumë detaje.

Njoftimi zyrtar i Policisë:

Më datë 20.07.2022, rreth orën 05:30, në derdhje të hidrovorit të Adriatikut, në breg të detit, në Godull, Kurbin, është konstatuar nga shërbimet e Policisë, një mjet lundrues, duke u djegur.

Shërbimet e Policisë vijojnë krehjen e zonës. Deri tani nuk është konstatuar asnjë person apo send i kundërligjshëm.

Grupi hetimor vazhdon hetimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Sipas burimeve, mjeti lundrues ishte nisur nga Greqia drejt Vlorës, me destinacion Malin e Zi dhe më pas është kthyer për në drejtim të Kepit të Rodonit e ka mbetur në Laç.