Aktualitet

U privua nga liria dhe u dhunua barbarisht, 28-vjeçarja tregon ferrin e një jave nga i dashuri xheloz!

Lindi dhe u rrit në Gjermani, por vajza e dy emigrantëve shqiptarë nga Tirana, që mendoi se gjeti dashurinë në vendlindjen e prindërve, në të vërtetë gjeti dhunë e torturë. 28-vjeçarja e cila ka studiuar për Infermieri në Gjermani u mbajt peng në një banesë ku dhunohej barbarisht nga 31-vjeçari Gerald Gusholli.  Ai u arrestua bashkë me katër të tjerë.

Dy prej tyre akuzohen se nuk kallëzuan krimin dhe se penguan zbulimin e së vërtetës pasi tentuan të fshehin provat, ndërsa dy vëllezër, se përkrahën autorin e krimit, duke e larguar nga vendi i ngjarjes.

Për një javë u kyç brenda një apartamenti në kryeqytet ku ushtrohej dhunë barbare, përfshirë përdorimin e këmbës së një karrigeje ndërsa u shoqërua në spital nga motra e Gushollit. 28-vjeçarja tregon se dhuna ishte rast i përsëritur dhe se i akuzuari i jepte kokainë. Siç rrëfen, njohja e tyre nisi në Gjermani kur ai u paraqit në një spital gjerman dhe ajo e ndihmoi me gjermanishten.

Ka ardhur në spital në Gjermani se nuk ndihej mirë. Nuk dinte gjermanisht e ndihmova dhe kështu nisi njohja jonë. Më jepte drogë, e kam parë duke pirë kokainë, më ka dhënë pesë herë kokainë.

Një lidhje që zgjati një vit. Ata u ndanë shpejt  për shkak të dhunës, por sërish vajza nuk hoqi dorë. Udhëtoi nga Gjermania dhe në fillim të muajit mbërriti në Tiranë për të bashkëjetuar, por tre muajt e ndarjes i “hodhën benzinë zjarrit” pasi dhunuesi xheloz i kërkonte llogari derisa vendosi t’i hiqte lirinë në mënyrë të paligjshme.

Ai më merrte telefonin, kërkonte të dinte me kë kisha folur. Ishte një torturë. Disa herë dilja në dritaren e katit të pestë dhe kam dashur t’i jap fund jetës sepse nuk e duroja dot dhunën.

Në pritje për të dalë para gjykatës, avokati i të dhunuarës kërkon hetim të thelluar me pretendimin se Komisariati numër 2 në kryeqytet e ka referuar ngjarjen për një akuzë të lehtë.