Aktualitet Politikë

U rizgjodh në krye të PD-së, Berisha: “Mision të shpëtojmë Shqipërinë!”

Pasi mbështetësit e Grupit të Rithemelimit e zgjodhën në krye të Partisë Demokratike, me rreth 41 mijë vota ose 93.45%, kundrejt mbi 2 mijë e 500 të rivalit Ibsen Elezi, Sali Berisha deklaroi:

U krye! U krye, jo zgjedhja e Sali Berishës, por mrekullia e vërtetë shqiptare e Shqipërisë në shekullin 21. Nuk kam ndonjë fjalim të gjatë, por kam një përulje të madhe dhe një mirënjohje të pakufishme për të gjithë ata burra e gra, djem e vajza, që në një hark kohor ngadhënjyen si njerëz të lirë, në një proces që do të regjistrohet në historinë e lirisë së shqiptarëve si mrekullia e vërtetë e shekullit të 21-të.

Misioni është të shpëtojmë Shqipërinë nga një regjim që kurrë nuk e meritoi pushtetin. Duhet bërë gjithçka që ëndrrat e të rinjve të bëhen realitet në këtë vend!

Në një vit nga koha kur për korrupsion madhor e cënim të demokracisë, Shtetet e Bashkuara shpallën “non grata” ish-kryeministrin dhe familjarët e tij, grupi parlamentar demokrat u nda në pro e kundër Berishës. I përjashtuar nga grupi në shtator të vitit të kaluar, Berisha nisi një tur në Shqipëri e rimori drejtimin e Partisë Demokratike. Ish-kryetari Basha, i cili e përjashtoi, dha dorëheqjen në mars. Uashingtoni e ka bërë të qartë se nuk do të kenë kontakte me Berishën, as me Partinë Demokratike nëse rikthehet në krye.

Një pjesë tjetër opozitare përfaqësohet nga kryetari i grupit, Enkelejd Alibeaj, ndërsa palët nuk e njohin njëra tjetrën dhe një proces gjyqësor po vazhdon në Apel për të marrë përfaqësimin e Partisë Demokratike. Socialistët po bisedojnë me përfaqësues të grupit parlamentar demokrat e bënë të qartë se nuk do ta negociojnë zgjedhjen e presidentit të ri me persona të shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara.

Kuvendi zhvillon sot një raund të dytë për zgjedhjen e presidentit, i cili pritet të ketë fatin e të parit e do të dështojë për mungesë kandidaturash.