Aktualitet

U shkarkua nga Vetting-u, ish-prokurorja Antoneta Sevdari fiton gjyqin në Strasburg!

Rreth katër vjet më parë, në shkurt të 2019-ës u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA, duke bërë që t’i drejtohet Strasburgut, ndërsa tani Antoneta Sevdari fiton gjyqin në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Për ish-prokuroren e Tiranës, e cila ka qenë edhe anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP, Strasburgu theksoi:

Ka shkelje të Nenit 8 dhe shkarkimi nuk ka qenë proporcional. Për pasojë, duhet ta dëmshpërblehet me shumën 24 mijë e 600 euro.

Kujtojmë se Sevdari e kaloi shkallën e parë të Vetting-ut dhe u zgjodh anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, por Komisioneri Publik paraqiti ankesë duke hedhur dyshime për probleme me të ardhurat e bashkëshortit, të fituara nga puna e kryer jashtë vendit, vite më parë. Pas ankimimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA e shkarkoi duke mos e rikonfirmuar në detyrë.

Mes atyre që morën vendimin ishte edhe Luan Daci, për të cilin, ish-prokurorja do të deklaronte se “u shkarkua nga një gjyqtar që nuk di të shkruajë e me një CV “ulëritëse””. Sipas Sevdarit, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA, me shumicë ka persona “pa integritet moral dhe profesional, që nuk e njohin Kodin Penal e në vend të reformimit të drejtësisë shqiptare, po e shkatërrojnë atë në themele”.

Më pas, Luan Daci u shpall fajtor nga Gjykata e Posaçme, GJKKO “Për falsifikim”.

Sevdari nuk është e shkarkuara e vetme e Vetting-ut, të cilës Strasburgu i dha të drejtë. Para saj, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut vendosi në favor të ish-prokurorit Besnik Cani, i shkarkuar në vitin 2020, po gjatë procesit të rivlerësimit për të tre kriteret që kanë të bëjnë me profesionalizmin, pastërtinë e figurës dhe pasurinë e subjektit që i nënshtrohet rivlerësimit. Strasburgu konstatoi se emërimi si gjyqtar e zgjedhja e Luan Dacit, u krye pa i verifikuar të kaluarën.