Rajoni

Osmani shkarkoi Valdete Dakën, Kreshnik Radoniçi kreu i ri i KQZ-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka emëruar menjëherë pas shkarkimit të Valdete Dakës, gjyqtarin Kreshnik Radoniçi si kryetar të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Emërimi i gjyqtarit Kreshnik Radoniçi si kryesues i ri i KQZ do të sigurojë që integritet i KQZ nuk dëmtohet më tutje si dhe do të mundësojë mbarëvajtjen e organizimit të zgjedhjeve lokale të bazuar në gjithëpërfshirjen e votuesve në ditën e zgjedhjeve brenda dhe jashtë Kosovës, thuhet në vendimin e presidentes.

Kreshnik Radoniçi është gjyqtar në Departamentin Special të Gjykatës së Apelit. Gjyqtari Radoniçi, në vitin 2006 është diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa në vitin 2013 ka përfunduar studimet master në SHBA.

Më herët presidentja Osmani e shkarkoi nga detyra kryetaren e deritashme të KQZ-së, Valdete Daka.

Në vendimin e saj për shkarkimin e Dakës, presidentja Osmani ka thënë se “kryesuesja e KQZ-së, në shumë raste, nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike dhe që vendimmarrja e saj të drejtohet nga interesi i përgjithshëm publik, e që për rrjedhojë ka cenuar integritetin dhe besimin e qytetarëve ndaj KQZ-së”.

Më herët gjatë ditës u raportua se gjatë takimit mes Dakës dhe presidentes Osmani, kjo e fundit i kërkoi Dakës dorëheqjen nga kreu i KQZ-së, në këmbim të një “mirënjohjeje”.

Por, Daka refuzoi të japë dorëheqjen, pasi siç ajo u shpreh, “ka kryer detyrën në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.