Reperi i njohur me emrin e artit si Noizy, (Rigels Rajku), ka reaguar lidhur me lajmin se Policia e Kosovës e ka shpallur në kërkim së bashku me D.J.Crax, për dhunën ndaj personazhit të TikTok Medi Iseni, pasi e akuzon për ‘’lëndime të rënda trupore’’.
Përmes një shkrimi në Instagram ai shprehet ky denoncim është i padrejtë dhe nuk ka lidhje me ngjarjen e ndodhur. Këngëtari ka kërkuar ndjesë për personat që janë shqetësuar nga reagimi i tij, pasi siç thotë ai, “nuk është përballur më parë me situata të tilla”.
Noizy sqaron se nuk ndodhet në arrati, por po ndjek rrugën ligjore dhe se do të sqarojë situatën e plotë, ku reperi shprehet se ka rënë viktimë, pa pasur asnjë lidhje me rastin në fjalë.
Reagimi i plotë i Noizy: “Prej disa ditësh jam bërë pjesë e titujve mediatike si pasojë e një denoncimi të padrejtë kundrejt meje, për një ngjarje të ndodhur në Pejë, ku unë nuk kam gisht fare, zero!
Dua ta nis këtë reagim me një ndjesë të thellë ndaj atyre që janë shqetësuar nga reagimi im. Kjo ka ardhur si pasojë e indinjatës për një kallëzim të rremë e të padrejtë ndaj meje, pasi kurrë nuk jam përballur me situata të tilla e për pasojë fatkeqësisht nuk kam reaguar në nivelin që do të doja. Edhe njëherë, ndjesë.
Mirëkuptoj edhe median që bën punën e saj dhe i kërkoj ndjesë nëse janë keqkuptuar nga reagimi im i nxituar. Sa më lart dua të bëj me dije dhe garantoj këdo dhe çdo institucion se kurrësesi nuk jam në arrati apo sfidim ndaj drejtësisë, por po ndjek rrugën ligjore më profesioniste të fushës për të shmangur kurthin e padrejtësisë ndaj meje dhe për t’i dhënë zgjidhje çështjes në bashkëpunim me organet e drejtësisë në Kosovë.
Bashkë me studion e avokatisë të kontaktuar nga unë, do kontribuojmë maksimalisht për të shuar çdo dyshim që rëndon ndaj meje dhe sqaruar këtë ngjarje ku unë jam viktimë e kallëzimit të rremë dhe nuk kam asnjë lidhje.
Duke ju falenderuar për mirëkuptimin e përkrahjen dhe kërkuar ndjesë për këtë situatë të shëmtuar ku më kanë përfshirë.”
Ndërkohë, një ditë më parë Prokuroria e Kosovës ka konfirmuar për Top Channel se ka shpallur në kërkim këngëtarin e njohur Noizy. Policia ka kërkuar ndihmën e qytetarëve, që kushdo që ka informacion se ku ndodhet këngëtari, të bashkëpunojë me autoritetet./TCH