Aktualitet Politikë

U tha se kushtonte 400-500 mijë dollarë, ja si duket nga brenda makina e re luksoze e Kryeministrit Rama të cilën PS thotë se e ka marrë me qira!

Mandatin e 3-të në krye të qeverisë, Kryeministri Rama vendosi ta nisë me një makinë të re, shumë më luksoze se ajo që kishte më parë.


Pasi braktisi ‘Lincolnin’ e blindura për të cilin tha se ja kishte dhuruar vëllai i tij, Olsi, dje Rama shkoi në Presidencë për të bërë betimin me një makinë luksoze ‘GMC’ prodhim amerikan. Supermjeti tërhoqi jo pak vëmendjen dhe kureshtjen e publikut dhe menjëherë në rrjetet sociale filluan komentet dhe pyetjet për Kryeministrin q ë pak orë më vonë do t’u fliste Ministrave për Kodin e Etikës të Kryeministrisë dhe Ministrave.
Gazetarja Esiona Konomi, i drejtoi qeverisë disa pyetje lidhur me mjetin luksoz.
-Ajo pyet nëse makina është e blerë me fonde nga buxheti i shtetit?
-Kush është E.Hoxhallari dhe a ia ka dhënë ajo makinën në përdorim Ramës?
-Po kështu Konomi pyet pse i është dashur kryeministrit një makinë e re dhe çfarë elementësh sigurie ka ajo.


Ditën e djeshme erdhi përgjigja e zyrës së shtypit të kryeministrit Rama që sqaron se makina nuk është blerë por është në pronësi të një subjekti privat që shet e jep me qira mjete.
Në përgjigjen e Endri Fugës thuhet se PS-ja ka një kontratë me këtë subjekt privat dhe se mjeti i marrë me qira nuk ka asnjë element të veçantë sigurie po është marrë për shkak të amortizimit të mjetit të mëpërparshëm në përdorim nga kreu i PS-së.

Përgjigjia zyrtare e zyrës së shtypit të Kryeministrit Rama
Automjeti në fjalë është në pronësi të një subjekti privat, me aktivitet tregtar të regjistruar sipas ligjeve në fuqi. Partia Socialiste ka një kontratë qeraje me subjektin, i cili ushtron prej më shumë se 5 vitesh aktivitet në fushën e shitjes dhe dhënies me qera të automjeteve. Automjeti nuk ka elementë të veçanta sigurie. Ai është marrë pasi automjeti i mëparshëm në përdorim të Kryetarit të PS, nuk plotësonte më standardet e lëvizjes për shkak të amortizimit si pasojë e vjetërsisë dhe numrit të madh të kilometrave të kryer. Me këtë rast theksojmë se kryeministri nuk ka blerë një automjet të ri me fondet e buxhetit të shtetit, qysh nga ardhja e tij në detyrë.

Nuk dihet ende si duket makina e kreut të qeverisë nga brenda por “simotra” e saj “Yukon XL SLT SUV”, ka këtë pamje…

 

Nishani: Edi Rama përdor makinë që kushton 500 mijë euro, pse hesht selia e Partisë Demokratike?

Ish-presidenti Bujar Nishani e cilëson si skandal të radhës, makinën që përdor për të lëvizur kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ku sipas tij duke ju referuar mediave kushton 500 mijë euro dhe se është marrë me qira nga Partia Socialiste.
Por më skandaloze, Nishani cilëson edhe heshtjen e selisë së Partisë Demokratike, ku ngre disa pyetje, për mos reagimin e PD-së. Nishani thotë se opozitarizmi, denoncimi i aferave qeveritare, përballja me të keqen nuk është më as monopol e as peng i Kryetarit Peng në selinë e PD.

‘Një skandal tjetër i qeverisë së skandaleve !
Baza e skandalit hajnia dhe mashtrimi !
Një gazetare e pakapur, denoncoi Edi Ramën se përdorte prej muajsh një makinë ultra luksoze që sipas medias kushtonte 500 mijë euro (gjysëm milioni pra).
Vetëm pas denoncimit të medias, qeveria tentoi të justifikohet se makinën e ka marrë Partia Socialiste me qera !!!!
Ky është një skandal (i rradhës kuptohet) që ngado ta kapësh të bën pis !
Por selia e Partisë Demokratike pse hesht !
Ka frikë ? Nuk e quan të rëndësishme ? Nuk ka dëgjuar e parë gjë ? Apo ? ……..
Gjithsesi opozitarizmi, denoncimi i aferave qeveritare, përballja me të keqen nuk është më as monopol e as peng i Kryetarit Peng në selinë e PD.
Kryeministri i vendit nuk mundet të marrë e as të përdorë makina nga Partia Socialiste !
Në zyrën e qeverisë e në aktivitetin qeveritar Edi Rama është Kryeministri edhe i shqiptarëve kundërshtarë politik të Partisë Socialiste.
Në punët si kryetar i saj, ai mund të përdorë çdo gjë të PS. Zyra, makina, njerëz, të partisë.
Jo në Qeveri e jo në qeverisje !
Meqenëse PS e mori përsipër ta mbulojë skandalin e Edi Ramës, duhej që tu tregonte shqiptarëve se sa kushton qeraja e paguar, të bënte publike kontratën e nënshkruar, të nxirrte transaksionin e thesarit të shtetit për pagesën e realizuar, të sqaronte burimin e parave që partia ka shfrytëzuar, etj.,,,etj.,,,
Por natyrisht që këto nuk i bën dot, pasi thjesht mashtrojnë, gënjejnë, manipuloinë !
Imagjinoni një Kryeministër i zhytur në skandale, një parti në pushtet që fsheh skandalin me mashtrim dhe një opozitë zyrtare që hesht kokulur !
Çfarë duhet bërë ?’- shkruan Nishani.