Bota

Uashingtoni “i shqetësuar” nga deklaratat e presidentit bullgar për Krimenë!

Amerika shpreh shqetësim “serioz” pasi presidenti bullgar, Rumen Radev e cilësoi Krimenë si “ruse”. Mbi 7 vjet më parë, gadishulli iu aneksua Ukrainës nga Moska. Radev fitoi dje balotazhin e zgjedhjeve presidenciale, duke triumfuar përballë rivalit Anastas Gerdjikov, ndërsa komentet që nxitën reagimin e Uashingtonit u bënë gjatë një debati televiziv para raundit të dytë.

Radev u shpreh se Bullgaria duhet të mbajë raporte pragmatike me Moskën dhe nuk duhet ta shohë Rusinë si armike, për shkak të lidhjeve të ngushta historike e kulturore. Gjatë debatit, u pyet nga Gerdijkov nëse pendohet për kritikat që kishte ndaj sanksioneve që Bashkimi Europian i vendosi Rusisë, për shkak të aneksimit të Krimesë?

Për momentin kemi Krime ruse, çfarë tjetër mund të jetë?

Më 2016-ën, Radev bëri fushatë për heqjen e sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë.

Ndërkaq, në një deklaratë të ambasadës amerikane në Sofje, theksohet:

Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara lidhur me deklaratat e fundit të presidentit bullgar, Rumen Radev, në të cilat ai iu referua Krimesë si “ruse”. Shtetet e Bashkuara, G7, Bashkimi Europian dhe NATO kanë qenë të qartë e të bashkuar në pozicionin e përbashkët, që pavarësisht përpjekjes së Rusisë për aneksim dhe pushtimit që po vazhdon, Krimea është Ukrainë. Të gjithë ne, përfshirë Bullgarinë, gjatë Samitit të Platformës së Krimesë që u mbajt në gusht, deklaruam se Krimea është pjesë integrale e Ukrainës e nuk do t’i njohim përpjekjet e Rusisë për të legjitimuar aneksimin e paligjshëm dhe pushtimin e gadishullit. Në ditët e fundit, komunikuam shqetësimin tonë te Qeveria bullgare si në Uashington, ashtu edhe në Sofje.

Pas komenteve të Radevit, më 19 nëntor Ukraina thirri në bisedime ambasadorin bullgar në Kiev, për të shprehur shqetësimet lidhur me deklaratat e presidentit bullgar.

Fjalët e presidentit aktual të Bullgarisë nuk i kontribuojnë zhvillimit të raporteve të mira fqinjësore ndërmjet Ukrainës e Bullgarisë dhe janë në kundërshtim me pozicionin zyrtar të Sofjes që mbështet sovranitetin e integritetin territorial të Ukrainës në kufijtë e saj të njohur ndërkombëtarisht.