Aktualitet

Uashingtoni i zhgënjyer që Tirana e Shkupi nuk morën datë për konferencat ndërqeveritare!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të zhgënjyera që ende nuk ka një datë për konferencat e para ndërqeveritare me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Qëndrimin e shprehu zv.Ndihmës Sekretari i Zyrës për Çështjet Euroaziatike, Matthew A. Palmer në Forumin e Prespës për Dialog.

Sinqerisht, kjo prek edhe objektivat e veprimet tona! Shtyrjet kanë dobësuar ndikimin kolektiv të SHBA-ve e BE-së, si dhe kapacitetet e tyre për të çuar përpara objektivat tona të përbashkëta në rajon. Jo vetëm normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë e kryerjen e reformave kushtetuese e të integrimit europian në Bosnje-Hercegovinë, por edhe çështje të tjera më të gjera rajonale!

Uashingtoni mirëpret njoftimin e fundit të Komisionit Europian lidhur me marrëveshjen për asistencën e para’antarësimit, që do të financojë planin e investimeve të BE-së.

Dëshiroj të rikujtoj atë që Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas deklaroi së fundmi se “është thelbësore që Bashkimi Europian iu qëndron angazhimeve të tij ndaj rajonit”. Kjo përfshin edhe avancimin e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut e Shqipërinë, si dhe realizimin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Palmer pranon se ende mbetet shumë punë për t’u bërë, aq më shumë kur konkurrentët gjeo-politikë të Amerikës po përpiqen në mënyrë agresive që të minojnë besueshmërinë e SHBA-ve e BE-së në Ballkan.

Rreziqet vazhdojnë të rriten! Kam hasur në kritika të përsëritura lidhur me rolin amerikan në këtë rajon. Ndokush madje guxon të thotë që SHBA-të janë angazhuar me dorë të rëndë. Ka të tjerë që shprehen se në fakt Amerika nuk është e angazhuar mjaftueshëm. Fakti është që SHBA-të kanë qenë angazhuar vazhdimisht në realizimin e qëllimeve të tyre të përgjithshme!

Vizioni ynë afatgjatë është një rajon në paqe me veten e fqinjët e tij, i qëndrueshëm, i begatë dhe i integruar në Bashkimin Europian e në strukturat Euro-Atlantike. Ajo që më jep shpresë është që ky nuk është vetëm vizioni amerikan për Ballkanin Perëndimor, por është gati e padallueshme nga çfarë kërkojnë edhe partnerët e aleatët tanë europianë.  Gjithashtu ky është vizion i artikuluar qartë nga vetë vendet e Ballkanit Perëndimor!

Për zyrtarin amerikan nuk duhet harruar objektivi për të dyfishuar përpjekjet për ta sjellë Ballkanin Perëndimor më pranë Bashkimit Europian.

Përndryshe rrezikojmë të dështojmë në dekadat e ardhshme, në përpjekjet për një Europë të plotë, të lirë e në paqe, si pjesë e një familjeje të fortë trans-atlantike!

Palmer apelon që liderët ballkanikë t’i kapërcejnë dallimet përmes dialogut.

Udhëheqësit e rajonit duhet të marrin fort në dorë të ardhmen europiane dhe të gjenerojnë presionin e brendshëm, i nevojshëm jo vetëm për të arritur progres kolektiv në një të ardhme të afërt, por të ndryshojnë në mënyrë aktive rrëshqitjen në një territor regjimesh hibride. Përndryshe, bashkëpunimi ekonomik rajonal dhe rimëkëmbja e qëndrueshme ekonomike do të mbeten përjetësisht të pa’arritshme. Si pjesë të kësaj, udhëheqësit në rajon duhet të krijojnë dhe shfrytëzojnë tani mundësitë për zgjidhjen përmes dialogut e kompromisit të të gjitha dallimeve, që frenojnë vendet dhe popujt e tyre në arritjen e potencialeve të plota. Nëse kjo nuk është gjithëpërfshirëse, atëherë kjo do të mbetej përgjysmë!

Thirrje të veçanta drejtuar Prishtinës e Beogradit.

Për këtë qëllim, SHBA-të po nxisin Kosovën për një qasje pozitive me fqinjët e tyre dhe nxisin këta të fundit ta përfshijnë Kosovën me të njëjtën frymë pozitive. Me të njëjtën rëndësi, Amerika po nxit Serbinë që të marrë një angazhim politik për zhvillimin ekonomik të të gjithë rajonit!