Aktualitet

Uashingtoni kërkon hapjen e shpejtë të negociatave me BE-në për Tiranën e Shkupin!

Uashingtoni zyrtar kërkon që negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian, të hapen sa më parë. Qëndrimin e dha një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit, duke folur në lidhje me pasigurinë për fillimin e tyre, pas samitit të dështuar mes Bashkimit Europian e Ballkanit Perëndimor të dy ditëve më parë, në Bruksel.

Ne e konsiderojmë besueshmërinë e perspektivës së zgjerimit të BE-së si një rëndësi jetike për stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor. Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të vazhdojnë të mbështesin fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, sa më shpejt të jetë e mundur!

Gjatë Samitit BE-Ballkani Perëndimor, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski hodhi poshtë të ashtuquajturin propozim francez. Në dokumentin e Francës që deri në fund të qershorit ka kryesimin e radhës së Unionit dhe që u miratua dje në Parlamentin e Bullgarisë, çështjet bilaterale mes dy vendeve, vendosen si kusht për procesin negociues lidhur me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Union.

Sofja i ka vendosur veto Shkupit, duke i kushtëzuar negociatat me zgjidhjen e çështjeve dy palëshe, që janë të karakterit historik. Ndërkohë, për pasojë mbahet e bllokuar edhe Shqipëria, pasi BE-ja nuk e ndan nga Maqedonia e Veriut në procesin eurointegrues, ku të dy vendet fqinje presin hapjen e negociatave.

Tirana zyrtare e përshëndeti vendimin në Parlamentin e Bullgarisë e kryeministri Rama tha dje se “partia e ish-kryeministrit Borisov i shpëtoi fytyrën vendit e Bashkimit Europian”. Ndërkaq, dy ditë më parë shefi i qeverisë kritikoi ashpër, si Bashkimin Europian, ashtu dhe Bullgarinë, duke theksuar se “një vend i NATO-s merr peng dy vende të tjera të NATO-s, ndërkohë që në oborr të Europës ka një luftë dhe po ashtu nën sytë e 26 vendeve që janë krejt të pafuqishme së bashku”.