Rajoni

Uashingtoni përshëndet marrëveshjen për targat Kosovë-Serbi!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mirëpresin marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “mbi masat për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve” lidhur me riregjistrimin e targave. Në një deklaratë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price vlerëson marrëveshjen e të dy vendeve, siç thekson “për t’u përqendruar plotësisht dhe urgjentisht në normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian, si rruga më e mirë për të çuar përpara të ardhmen europiane të Serbisë e Kosovës”.

Akordi u arrit një ditë më parë në Bruksel, mes kryenegociatorëve të Prishtinës e Beogradit, të mbledhur në bisedime nën drejtimin e të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak. Kryediplomati europian, Josep Borell njoftoi se “me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për targat ilegale serbe”.

Kosova do t’i japë fund veprimeve të lidhura me riregjistrimin e targave të makinave, ndërsa Serbia nuk do të lëshojë më targa me emërtime të qyteteve të Kosovës. Negociatat u zhvilluan në Bruksel mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe kryenegociatorëve të Kosovës e Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç.

Takimi i tyre pasoi atë të fillimjavës në Bruksel ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksander Vuçiç e që përfundoi pa marrëveshje mes palëve për targat.

Në Twitter, Borrell shkroi:

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për masat që ndihmojnë në shmangien e tensioneve dhe për përqëndrim të plotë në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ditët në vijim, zyrtari europian do të ftojë palët në Bruksel për të diskutuar hapat e radhës drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani falënderoi Ambasadën Amerikane në Prishtine për angazhimin në arritjen e marrëveshjes për targat. Në një postim në Twitter shkruan:

Mbështetja e saj për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është kyçe. Kosova është mirënjohëse!