Bota

Uashingtoni reagon mbi paralajmërimin e Turqisë ndaj Greqisë!

Shtetet e Bashkuara bënë thirrje për shmangien e retorikës tensionuese, pasi presidenti turk Recep Tayyip Erdogan paralajmëroi Greqinë të çmilitarizojë ishujt në detin Egje, duke shtuar se “nuk po bënte shaka” me paralajmërimin.

Ftojmë Greqinë të ndalojë armatosjen e ishujve që kanë status joushtarak dhe të veprojë në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare . Nuk po bëj shaka, po flas seriozisht. Turqia është e vendosur.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se “sovraniteti dhe integriteti territorial i të gjitha vendeve duhet të respektohet e të mbrohet”.

Ne vazhdojmë të inkurajojmë aleatët tanë të NATO-s, Greqinë dhe Turqinë që të punojnë së bashku për të ruajtur paqen dhe sigurinë në rajon dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet në mënyrë diplomatike.

U bëjmë thirrje aleatëve tanë të shmangin retorikën që mund të rrisë më tej tensionet. Për Shtetet e Bashkuara, Greqia dhe Turqia janë të dyja partnere të forta dhe aleate kryesore të NATO-s.

Prej kohësh, Greqia e Turqia kanë pasur mosmarrëveshje për çështje si kufijtë detarë e pretendimet në Detin Mesdhe, si dhe hapësirën ajrore, emigrantët dhe Qipron e ndarë etnikisht. Tensionet janë ndezur sërish kohët e fundit mbi ishujt e Egjeut, për të cilët, Ankaraja thotë se “nuk mund të armatosen sipas traktateve ndërkombëtare”.

Në fjalën që mbajti ndërsa ndiqte stërvitjet ushtarake turke pranë rajonit bregdetar të Izmirit në Egje, Erdogan i bëri thirrje Athinës “të shmangë ëndrrat, veprimet dhe deklaratat që si pasojë do të sillnin pendimin”. Ai përmendi luftën për pavarësinë e Turqisë në fillim të viteve 1920, kur turqit mundën fuqitë pushtuese, përfshirë Greqinë.

Turqia nuk do të heqë dorë nga të drejtat e saj në Egje dhe nuk do të tërhiqet nga përdorimi i të drejtave të përcaktuara nga marrëveshjet ndërkombëtare kur bëhet fjalë për armatosjen e ishujve.

Javën e kaluar, Erdogan njoftoi se Turqia po ndalte të gjitha bisedimet dypalëshe me Greqinë për një mosmarrëveshje me kryeministrin grek dhe atë që Ankaraja e quan “shkelje të hapësirës ajrore”. Komentet e Turqisë për armatosjen e ishujve, Greqia i quan “të pabaza” dhe akuzon Ankaranë se ka vënë në pikëpyetje sovranitetin e saj mbi ta. Të dy vendet u kanë dërguar letra Kombeve të Bashkuara, duke parashtruar pozicionet rivale në hapësirën ajrore e ishujt.