Bota

Ukraina kundër Rusisë për një status neutral si Austria apo Suedia!

Ukraina deklaroi se “dëshiron që siguria e saj të garantohet nga forcat ndërkombëtare” dhe hodhi poshtë propozimet e Rusisë që “vendi të miratojë një status neutral të krahasueshëm me Austrinë ose Suedinë”. Kryenegociatori Mikhailo Podolyak deklaroi:

Ukraina është tani në një gjendje lufte me Rusinë. Si rezultat i kësaj, modeli mund të jetë vetëm ‘ukrainas’ dhe vetëm me garanci sigurie të verifikuara ligjërisht!

Ndërkohë, kryenegociatori Podolyak bëri thirrje për një marrëveshje sigurie ligjërisht të detyrueshme, të nënshkruar nga partnerët ndërkombëtarë, për të cilët tha se “nuk do të qëndrojnë mënjanë në rast të një sulmi ndaj Ukrainës, siç bëjnë sot”.

Më herët gjatë ditës së sotme pati një reagim nga Kremlini që foli për një Ukrainë neutrale, të ngjashme me Suedinë ose Austrinë dhe shtoi se “me Kievin po diskutohet mundësia që t’i jepet fund luftimeve 3-javore në Ukrainë”. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov u shpreh se “ky është një opsion që po diskutohet tani dhe që mund të konsiderohet si kompromis”.

Zyrtarisht, Suedia është e paangazhuar ushtarakisht në kohë paqeje dhe neutrale në kohë lufte, pasi i dha fund politikës së saj të neutralitetit në vitin 1992 në fund të Luftës së Ftohtë. Ajo nuk është anëtare e NATO-s, por ka qenë partnere e aleancës për gati 30 vjet. Në fund të Luftës së Ftohtë, Suedia uli shpenzimet e saj ushtarake, por filloi të investojë përsëri në mbrojtjen e saj pas aneksimit nga Rusia të Gadishullit të Krimesë, në vitin 2014.

Rusia dhe Ukraina kanë zhvilluar disa raunde negociatash e tani një optimizëm më të madh për një marrëveshje të mundshme. Madje, shpresat e forta në këtë drejtim çuan sot në reagim pozitiv në tregjet europiane që rritën kuotimet. Situata më e mirë po reflektohet edhe në Shqipëri.

Deri më 21 mars, në vendin tonë, nafta do të tregtohet me 203 lekë litri sa i përket shitjes me pakicë. Në mbledhjen e radhës, Bordi Kombëtar i Transparencës vendosi që çmimi me shumicë i nënproduktit gazoil të jetë 199 lekë për litër dhe nënproduktit benzinë, 193. Ai i gazit nuk ndryshon, mbetet 93 lekë/litri.