Bota

Ukraina në fokus të samitit të NATO-s në Madrid!

Ndërsa liderët e NATO-s mblidhen sot në Madrid, në atë që konsiderohet një prej samiteve më të rëndësishëm të Aleancës, pas agresionit rus në Ukrainë, pritet dakordësi mbi një paketë të re të ndihmës për vendin. Kjo në fushat e komunikimeve, sistemeve anti-dronë dhe naftës.
Para liderëve të NATO-s dhe aleatëve, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky do të flasë përmes videolidhjes. Edhe bllokada e Turqisë për anëtarësimin e Finlandës e Suedisë në këtë Aleancë, përbën pikë të nxehtë diskutimi.

Shefi i NATO-s, Stoltenberg pritet të takojë liderët e të tre shteteve, para nisjes së samitit. Uniteti i Aleancës po testohet, tani që Turqia, që ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO, pas Shteteve të Bashkuara, po kërkon garanci nga Finlanda dhe Suedia, sa u përket grupeve kurde që Ankaraja i konsideron “terroriste”.

Në samit pritet të ndryshojnë edhe qëndrimet zyrtare për Rusinë, pasi prej vitit 2020, Aleanca e sheh Moskën si partnere strategjike.

Kjo gjë nuk do jetë kështu në konceptin strategjik, për të cilin do të pajtohemi në Madrid.

Me presidentin turk Erdogan, presidenti finlandez, Niinisto dhe kryeministrja suedeze, Andersson, takohen sot që të diskutojnë mbi synimet për anëtarësim në NATO. Kjo në kushtet kur ka një bllokim nga Turqia të planeve për zgjerimin e Aleancës. Palët do t’i zhvillojnë bisedimet në kuadër të samitit të NATO-s në Madrid, sot dhe nesër.

Në kryeqytetin spanjoll, liderët e vendeve anëtare të NATO-s mblidhen në një moment kyç për sigurinë e kontinentit. I pranishëm në samit do të jetë edhe kryeministri Edi Rama. Krahas çështjes së pushtimit rus të Ukrainës e realitetit të ri të sigurisë në Europë, të tjera tema përfshijnë ndikimin në rritje të Kinës dhe pasojat e sigurisë nga ndryshimet klimatike.

Kujtojmë se mijëra demonstrues dolën dje në rrugët e Madridit, para samitit të NATO-s, për të protestuar kundër Aleancës. Me mbishkrimet në pankartat e tyre, spanjollët bënë të qartë se nuk dëshirojnë të përfshihen në konflikte mes shteteve, por të zgjidhin problemet sociale e ekonomike.