Sport

Ukraina zbret në fushë, FIFA vendos për play-off e Botërorit!

FIFA ka zgjidhur më në fund edhe dilemën e fundit sa i përket kalendarit ndërkombëtar dhe situatës së Ukrainës, e cila nuk mund të zbriste në fushë për ndeshjen e saj të play-off për Botërorin 2022 kundër Skocisë.

Përfaqësuesja ukrainase e kishte të pamundur të zbriste në fushë në mars për ndeshjen ndaj Skocisë, si pasojë e situatës pas sulmit ushtarak rus, me futbollistët që ishin shumë të shqetësuar për atë që ndodhte në vendin e tyre e shumë syresh, kërkuan leje edhe nga klubet ku luanin. Pa harruar këtu edhe një numër të madh që luan pikërisht në kampionatin vendas.

Me mirëkuptim u vendos që sfida play-off mes dy përfaqësuesve të shtyhej për një datë tjetër, ndërsa në finalen e minigrupit, ekipin fitues e pret Uellsi.

Në bashkëpunim me federatat e tjera të përfshira në grupet e tyre në ndeshjet e Ligës së Kombeve, është modifikuar kalendari i ndeshjeve të muajit qershor dhe ai i shtatorit. Kështu, sfida e shtyrë mes Skocisë dhe Ukrainës do të luhet më datë 1 qershor, ndërsa më datë 5 qershor, fituesi do të përballet me Uellsin.