Bota

Ukrainë, sulmet ajrore ruse vrasin një vajzë 2-vjeçe/22 të plagosur!

Në Ukrainë, një vajzë vetëm 2-vjeçe mbeti e vrarë dhe 22 persona u plagosën, si pasojë e një sulmi ajror rus, në një zonë të banuar me civilë në qytetin Dnjipro. Serhiy Lysak, guvernator i rajonit Dnjipro tha se pesë prej të plagosurve janë fëmijë dhe mes tyre, tre djem paraqiten në gjendje shëndetësore të rëndë. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky fajëson Rusinë për sulmet, por Kremlini ende nuk ka bërë ndonjë koment.

Zelensky u shpreh se “shpërthimet në Dnjipro ishin të qëllimshme”. Shpërthime u regjistruan edhe në kryeqytetin ukrainas, Kiev ku u aktivizuan sistemet ajrore për mbrojtje. Përgjatë natës, sirenat e alarmit u dëgjuan në të gjithë shtetin.

Sulmet ajrore ruse janë intensifikuar javët e fundit në Ukrainë, pasi pritet për nisjen e një kundërofensive të Kievit zyrtar, me qëllim rikthimin e territoreve të pushtuara nga forcat ruse që prej nisjes së luftës, mbi një vit më parë. Dje, kreu i shtetit, Zelensky bëri të ditur se forcat ukrainase janë gati që të fillojnë kundërofensivën e tyre.

Por, disa orë më vonë, një bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit Zelensky, Uhor Zhovkva vuri në dukje se Ukraina ende nuk është gati që të nisë diçka të tillë. Duke folur për gazetën britanike “Sunday Times”, si arsye, Zhovkva përmendi mungesën e armëve dhe municioneve në sasitë e duhura.

“Sunday Times” ka thënë se deklaratat e paqëndrueshme të zyrtarëve ukrainas mund të bëhen me qëllim, për të ndikuar që Moska zyrtare të bëhet konfuze. Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën fqinje. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë gjetur vdekjen mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre në Ukrainë.