Bota

Ukrainë, vazhdojnë luftime të ashpra për Severodonjeckun!

Forcat ukrainase dhe ruse janë përfshirë në luftime të ashpra për të fituar kontrollin e Severodonjeckut, qytet në lindje të Ukrainës. Presidenti Volodymyr Zelensky tha se luftohet për “çdo metër” të qytetit, ndërsa rusët shkatërruan një urë kyçe. “Qëllimi kryesor i pushtuesve nuk ka ndryshuar, ata po rrisin presionin në Severodonjeck. Ushtria ruse po shton rezervat në Donbas”, – tha Zelensky.

Guvernatori i rajonit të Luhanskut, Serhiy Hayday njoftoi se forcat ruse kanë shkatërruar urën e dytë që lidh Severodonjeckun me qytetin Lisiçansk. Ministria britanike e Mbrojtjes thotë se operacionet e kalimit të lumit “ka mundësi të jenë në mesin e faktorëve vendimtarë për luftën”. “Rusia po përballet me vështirësi që të tregojë koordinim kompleks, të nevojshëm për të kryer kalime të suksesshme rreth lumit, ndërsa vazhdojnë luftimet”, – thuhet në vlerësimin e Londrës zyrtare.

Pavarësisht rritjes së presionit, presidenti Zelensky shprehet se “forcat ukrainase po pengojnë trupat ushtarake ruse nga marrja e Donbasit”. Severodonjecku ka mbetur pikë kritike e luftimeve dhe që sipas Kievit do të përcaktojnë rezultatin e luftës së paprovokuar që Rusia ka nisur në Ukrainë më 24 shkurt.

Politikani opozitar rus, Mikhail Kasyanov, kryeministri i parë i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, paralajmëron se “rezultati i luftës së nisur nga Moska kundër Ukrainës do të përcaktojë të ardhmen e Rusisë dhe nëse Ukraine bie, “shtetet e Baltikut janë në radhë”. Kasyanov, kritik i hapur i presidentit rus, i deklaroi agjencisë franceze të lajmeve, AFP, se fillimisht nuk e besonte se “Putin do të niste luftë kundër Ukrainës”. Por, kur pa mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Rusisë, tre ditë para pushtimit të nisur më 24 shkurt, u shpreh se e kuptoi se do të ketë luftë.

Unë i njoh ata njerëz dhe duke i vëzhguar, e kam parë që Putin është jashtë kontrollit. Jo në aspektin mjekësor, por në atë politik. Në të kaluarën kam njohur një Putin tjetër.